Enzo Maresca ka konfirmuar se skuadra e tij e Chelseat do t’i bëjë nderin e zakonshëm kampionëve të rinj të Premier League, Liverpoolit, duke respektuar traditën para përballjes së tyre të dielën në “Stamford Bridge”.
Liverpooli e siguroi titullin me një fitore mbresëlënëse 5-1 ndaj Tottenhamit javën e kaluar, duke e mbyllur garën katër ndeshje para fundit të sezonit. Në këto raste, është traditë që skuadra kundërshtare të krijojë një “gard nderi” (guard of honour) dhe t’i duartrokasë kampionëve në hyrje të fushës – një akt simbolik respekti.
Maresca u shpreh qartë:
“Po. Është traditë. Duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë. Ata fituan Premier League dhe e meritojnë.”
Duke krahasuar skuadrën e tij me Liverpoolin, Maresca shtoi:
“Dallimi është i dukshëm. Ne jemi në drejtimin e duhur, dhe shpresoj që ky hendek të bëhet më i vogël me kalimin e kohës. Liverpooli ka qenë më konsistent. Ne kemi pasur periudha shumë të mira, por kemi humbur disa ndeshje dhe kjo ka bërë diferencën.”
Ky veprim i Chelseat nuk është i pazakontë – në të kaluarën, edhe Manchester United i ka bërë nderin Chelseat në 2005, ndërsa “Blutë” ua kanë kthyer në 2007. Arsenal gjithashtu i dha një guard of honour Unitedit në vitin 2013, duke i duartrokitur ish-kapitenit Robin van Persie në “Emirates”.
Edhe Frank Lampard, ish-trajner dhe legjendë e Chelseat, e ka shprehur më herët qëndrimin e tij për këtë traditë, kur ishte trajner i përkohshëm në vitin 2023 dhe ekipi i tij nderoi Manchester Cityn si kampionë.
“I vetmi frymëzim duhet të jetë ajo çfarë është dashur që City të arrijë këtu. Ceremonia e trofeut është për t’u respektuar. E kam përjetuar si lojtar dhe e vlerësoj – nuk kam asnjë problem me këtë.” /GazetaExpress/