Franca ka njoftuar se marina e saj ka ndaluar dhe devijuar një cisternë nafte të sanksionuar, e lidhur me Rusinë, në Oqeanin Atlantik, si pjesë e përpjekjeve për të luftuar shmangien e sanksioneve.
Sipas autoriteteve detare franceze, anija po lundronte nën një flamur të rremë. Operacioni u krye me ndihmën e informacioneve të siguruara nga Mbretëria e Bashkuar.
Franca ka ndërhyrë edhe më parë ndaj anijeve që dyshohet se janë pjesë e të ashtuquajturës “flota në hije” e Rusisë, e cila përdoret për të transportuar naftë dhe mallra duke shmangur sanksionet perëndimore. Disa prej këtyre anijeve janë lejuar të vazhdojnë udhëtimin pasi kanë paguar gjoba.
Qeveritë perëndimore kanë premtuar masa më të rrepta për zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, shkruan DW.