Presidentja Vjosa Osmani është takuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në New York ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
Ajo tha se një takim, i planifikuar si protokollar me Presidentin Trump, “u shndërrua në një bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtjesore”.
“Faleminderit Presidentit Trump për interesimin e veçantë që tregoi rreth rolit të pazëvendësueshëm të Amerikës në Kosovë dhe në rajonin tonë, si dhe për angazhimin e tij të palodhshëm për paqe! Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm. Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-të, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë”, ka shkruar Osmani.
Duke qenë se selia e OKB-së është në SHBA, çdo vit Presidenti i SHBA-së, si kreu i shtetit mikpritës, luan një rol qendror jo vetëm politikisht, por edhe protokollar.
Në këtë drejtim, çifti presidencial realizon fotografi me krerë shtetesh dhe bashkëshortet e tyre.
Fotografinë nga ky takim me Trump e publikoi më herët edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj./Express/