Fotografi amerikan Christopher Anderson ka publikuar disa fotografi të Jeffrey Epsteinit, të realizuara në shtëpinë e tij, duke ndarë njëkohësisht edhe detaje shqetësuese nga takimi me këtë figurë të njohur për krime seksuale, dhunime dhe pedofili.
Anderson ka bërë të ditur se fotografitë janë realizuar në vitin 2015, në kuadër të një angazhimi profesional për revistën New York Magazine. Ai ka treguar se në atë kohë nuk dinte shumë për Epsteinin, përveç faktit se kishte lidhje të fuqishme me njerëz me ndikim.
“Sikurse kërkoi, u takuam para realizimit të fotografive për të diskutuar mundësinë që ai t’i blinte fotografitë pas publikimit. Derën ma hapi një vajzë e re me theks të Evropës Lindore, të cilën më vonë e pashë duke përgatitur një tavolinë masazhi në një dhomë pranë njërit prej zyrave të tij. Pas saj erdhi sekretarja e tij private, Lesley Groff. Kur Epstein u shfaq, më shikonte sikur po më analizonte nga çdo kënd”, ka rrëfyer Anderson.
Sipas fotografit, Epstein i kishte ofruar 20 mijë dollarë për të pasur në pronësi fotografitë pas publikimit të tyre.
“Më pyeti për punën time, si do të zhvillohej fotografimi dhe sa mendoja se vlenin fotografitë. Tha se nuk donte që askush tjetër t’i kishte pas publikimit dhe më ofroi 20 mijë dollarë. Në atë kohë, për mua kjo ishte shumë e madhe – kisha familje të re dhe jetoja nga muaji në muaj. Ai shkroi çekun dhe ma dha. Revista e kishte miratuar këtë marrëveshje, por i bëmë të qartë se nuk do t’i shihte fotografitë para publikimit”, ka shpjeguar ai.
Situata, sipas Andersonit, u përkeqësua disa ditë më vonë, kur Epstein u tërhoq nga marrëveshja dhe nisi të kërkonte fotografitë para kohe.
“Filloi të më telefononte dhe të më kërkonte fotografitë. Unë vazhdoja t’i thosha se nuk ishin të tijat deri në publikim. Pastaj filluan kërcënimet. Ai dërgoi truprojën dhe shoferin e tij, Merwinin – një burrë shtatlartë, i veshur me pallto të zezë dhe doreza lëkure – në studion time për të më frikësuar. Dhe ia doli. Revista vendosi ta anulonte artikullin”, ka treguar fotografi.
Anderson ka shtuar se pas kësaj, ai e arkëtoi çekun, ndërsa truproja u kthye për të marrë hard diskun dhe për t’u siguruar se nuk kishte kopje të tjera të fotografive.
“Sot kam gjetur një kopje në një hard disk shumë të vjetër”, ka theksuar ai.
Në fund, Anderson ka folur edhe për disa detaje që i kishte fotografuar në ambientet e Epsteinit.
“Ekziston një portret i Epsteinit dhe fotografi të tij duke punuar në dy zyra të ndryshme brenda shtëpisë (po, aty ishte edhe një tigër prej pelushi). Kam fotografuar tavolinën e tij, ku shihet edhe një email i printuar, që përfaqëson një shkëmbim mes Epsteinit dhe një zyre të Qeverisë Mbretërore, lidhur me pagesa për dukën dhe dukeshën”, ka përfunduar Anderson.
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...