Këshilli i Investitorëve Evropian dhe Banka ProCredit bashkëorganizuan edicioni e dytë te Forumit për Investime të Qëndrueshme. Ngjarja vuri në qendër të diskutimeve çështjen e dekarbonizimit dhe objektivave klimatike neto-zero për sektorin privat në Kosovë, me theks të veçantë në fuqizimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-ve).
Forumi mblodhi mbi 200 pjesëmarrës nga institucione publike dhe ndërkombëtare, organizata zhvillimore, ekspertë të sektorit dhe biznese, ku shumica përfaqësonin NMVM-të, të cilat përbëjnë rreth 90% të sektorit privat në vend.
Në hapje të forumit, Kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për të ndjekur rrugën evropiane të dekarbonizimit, duke e vënë theksin në domosdoshmërinë e tranzicionit të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, potencoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla e ekonomisë së Kosovës dhe duhet të jenë në qendër të tranzicionit të gjelbër. Ai theksoi se rritja e qëndrueshme, reforma në energji dhe integrimi evropian janë procese që ecin krah për krah.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, foli mbi rëndësinë e menaxhimit të rreziqeve klimatike dhe nevojën për të promovuar financimin e gjelbër si element thelbësor për stabilitetin financiar dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani, potencoi se tranzicioni i gjelbër për Kosovën nuk është një agjendë e jashtme, por një mundësi e brendshme për zhvillim – për krijimin e vendeve të punës, modernizimin e industrive, tërheqjen e investimeve dhe përafrimin me standardet evropiane.
Ndërsa Kryeshef Ekzekutiv i Bankës ProCredit, Visar Paçarada theksoi se qëndrueshmëria nuk është vetëm një avantazh strategjik – është një përgjegjësi e përbashkët. Roli i bankave në tranzicionin e gjelbër do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Nuk mjafton më vetëm të ofrojmë financim – ne duhet të bëhemi partnerë në tranzicionin klimatik, duke i pajisur klientët me mjetet, njohuritë dhe nxitjet që u duhen për të pasur sukses në një ekonomi me emetime të ulëta karboni. Në fund të fundit, synojmë që tranzicioni i gjelbër (Neto-Zero) të jetë një mundësi, jo një pengesë, për klientët tanë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-të) – një mundësi për t’u modernizuar, për të ulur kostot, për të fituar avantazh konkurrues dhe për të garantuar që modelet e tyre të biznesit të jenë të qëndrueshme në një ekonomi evropiane të ndërgjegjshme ndaj karbonit.
Gjatë dy paneleve të diskutimit, përfaqësues nga Komisioni Evropian, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Ambientit, institucione financiare dhe biznese, trajtuan qasjet praktike për bashkëpunim rajonal, përshpejtim të dekarbonizimit dhe përkthim të politikave dhe rregulloreve në zbatim konkret në nivel të sektorit privat.
Gjithashtu, në kuadër të forumit, Banka ProCredit prezantoi projektin e saj me te ri: kalkulatori i CO₂ i cili u mundëson klientëve të biznesit të matin dhe të raportojnë emetimet si dhe të krahasojnë performancën e tyre mjedisore me mesataren vendore. Ky kalkulator do të jetë i qasshëm online dhe do të ofrohet falas për të gjitha bizneset.
Në sesionin e pasdites, u diskutua ndikimi i mekanizmit të ri të Bashkimit Evropian, CBAM, mbi eksportet energjetike të Kosovës, si dhe përvoja e Kanadasë në tranzicionin energjetik dhe mundësitë për mbështetjen e NMVM-ve në këtë rrugëtim.
Forumi u përmbyll me thirrjen për bashkëpunim rajonal më të ngushtë, harmonizim të prioriteteve të përbashkëta dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme për Kosovën, me sektorin privat në rol qendror të këtij transformimi.