Kombëtarja e Kosovës në futboll do ta zhvillojë sot ndeshjen e fundit miqësore për muajin qershor dhe më pas do t’i presë ndeshjet kualifikuese në shtator që shërbejnë për Kampionatin Botëror.
Të përzgjedhurit e Challandes e luajnë në Antalya të Turqisë ndeshjen e katërt miqësore këtë muaj. “Dardanët” takohen me Gambinë në ndeshjen që nis nga ora 19:00 në “Arslan Zeki Demirci Spor Kompleksi”.
Challandes ka publikuar edhe formacionin startues për këtë takim.
Kosova: Halimi, Thaqi, Domgjoni, Hajrullahu, Bajselmani, Loshaj, Zejnullahu, Balaj, Rrudhani, Topalli, Daku.
Betim Halimi do të bëjë debutimin me fanellën e Kosovës. Në mbrojtje do të jenë Thaqi, Domgjoni, Hajrullahu dhe Bajselmani. Në mesfushë janë Loshaj, Rrudhani dhe Zejnullahu. Sulmi i është besuar treshes Mirlind Daku, Jetmir Topalli dhe Liridon Balaj.
Në dy ndeshjet e para, Challandes kishte ftuar pothuajse ekipin që e kishte pasur çdoherë me të cilin fitoi të dy sfidat, 4:1 ndaj San Marinos dhe 2:1 ndaj Maltës.
Më pas, Challandes publikoi një listë krejt tjetër me futbollistë të ftuar, e që shumë prej tyr vinin nga Superliga e Kosovës. Në ndeshjen me Guinean, Kosova pësoi humbje me rezultat 2:1, shkruan Gazeta Express.
Sonte, “Dardanët” do të synojnë t’i mbyllin këto miqësore me fitore ndaj ekipit nga Afrika, Gambisë. /Gazeta Express/