Ford F-150, automjeti më i shitur në SHBA në 42 vjet - Gazeta Express
string(51) "ford-f-150-automjeti-me-i-shitur-ne-shba-ne-42-vjet"

AutoTech

Gazeta Express

06/04/2024 21:53

Ford F-150, automjeti më i shitur në SHBA në 42 vjet

AutoTech

Gazeta Express

06/04/2024 21:53

Për më shumë se 40 vjet kompania Ford prodhon automjetin më të shitur në Shtetet e Bashkuara dhe modeli F-150 është makina më e shitur në pothuajse 50 vjet. Por çfarë e bën kaq të kërkuar tipin F-150? Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, vizitoi fabrikën e kompanisë Ford në Dearborn të Miçiganit, ku pa nga afër punën për prodhimin e automjetit të tipit F-150.

Kompania Ford Motor është krenare për automjetet e tipit F-150. Zëri i Amerikës bisedoi me zotin John Emmert, menaxher i përgjithshëm në kompaninë Ford.

Lexo Edhe:

“Seria F ka qenë automjeti më i shitur në SHBA për 47 vjet, dhe automjeti më i shitur i çdo lloji për 42 vjet”.

Por çfarë ka ky automjet që i tërheq blerësit për gjenerata me radhë? Vaux Adams sapo bëri një kontratë të re për automjetin e tij të dytë të modelit F-150.

“Do ta mbaj këtë model sepse sapo bleva një shtëpi, më duhet të transportoj mobiliet dhe të punoj në kopsht. Më pëlqen pjesa e brendshme e kabinës, dhe ka një ekran të madh me prekje”.

Kompania Ford thotë se përshtypjet e klientëve kanë ndihmuar në përmirësimin e vazhdueshëm të automjetit që kur u prodhua për herë të parë në vitin 1948.

“Ne i njohim klientët tanë më mirë se kushdo tjetër. Vazhdimisht jemi duke bërë novacione me modelin F-150”, thotë menaxheri John Emmert.

Zëri i Amerikës bisedoi me Corey Williams, i cili menaxhon fabrikën e prodhimit të firmës Ford.

“Kemi të bëjmë me teknologjinë dhe brendësinë e kabinës që të ofrojnë një automjet luksoz. Kjo të bën të harrosh se ky është një automjet për punë të rëndë”.

Rreth 5200 punonjës në turne 10 orësh vazhdojnë prodhimin pa pushim të këtij automjeti në fabrikën e Ford-it në Dearborn të Miçiganit. Fazat përfundimtare të procesit përfshijnë kontrollin e motorit dhe montimin e pjesëve kryesore së bashku.

Procesi i montimit kontrollohet nga kompjuterat dhe nga punonjësit. Njerëz dhe robotë që punojnë së bashku për të prodhuar një automjet të ri çdo 53 sekonda.

“Duhen njerëz për të ndërtuar automjete. Nëse shikoni inteligjencën artificiale dhe teknologjinë e re që po përhapet, bëhet fjalë për bashkëveprim mes njeriut dhe teknologjisë. Çdo stacion pune ka kompjuterin e vet i cili i shërben operatorit për të garantuar cilësinë e punës”, thotë Corey Williams, i cili menaxhon fabrikën e prodhimit të firmës Ford.

Në dyqanin e makinave “Suburban Ford of Sterling Heights” pranë Detroitit, rreth gjysma e automjeteve që shiten janë të modelit F-150.

Menaxheri i përgjithshëm i dyqanit, Jim Elder, nget një të tillë.

“Përshtatet me stilin e jetesës së familjes sime. Megjithëse nuk punoj në ndërtim, ky automjet më ndihmon të bëj shumë gjëra të nevojshme për shtëpinë, që nga transporti i biçikletave apo tërheqja e një rimorkio të vogël. I plotëson nevojat e përditshme”.

Kevin Joostema ka eksperiencë të gjatë në industrinë e automjeteve. Ai thotë se kompania Ford ishte e para që prodhoi një automjet të tillë për një amerikan të zakonshëm dhe ende vazhdon të sjellë risi të reja.

“Ka mbi një vit që Ford-i ka nxjerrë në treg automjetin elektrik. Udhëheqja novatore prej mbi 75 vitesh e kësaj kompanie ka bërë që njerëzit t’i besojnë më shumë kësaj marke dhe ta vlerësojnë këtë automjet”.

Ai dhe disa kritikë të tjerë theksojnë konsumin e lartë të lëndës djegëse në lidhje me kilometrat e përshkuara. Por shitjet e larta tregojnë se kjo nuk përbën shqetësim për amerikanët. Kompania Ford thotë se ka prodhuar 41 milionë automjete të serisë F për tregun amerikan që nga debutimi për herë të parë i këtij automjeti 76 vjet më parë. Përfshirë pothuajse 760 mijë automjete të këtij modeli vetëm vitin e kaluar. /VOA