Të dhënat ende provizore tregojnë se tre prej partive të reja, që hyjnë për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme, kanë shanse për të marrë të paktën secila një mandat në Qarkun e Tiranës.
Partia Mundësia drejtohet nga ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe biznesmeni, Agron Shehaj.
Në programin elektoral, ajo premtonte vendosjen e taksës së sheshtë në nivelin 8%. Sipas saj, ulja e taksave nxit investimet, rritjen ekonomike dhe krijon vende pune, duke bërë që shqiptarët të pasurohen nga puna e tyre e ndershme, jo nga lidhjet politike.
Pas kësaj uljeje, Partia Mundësia premton “ngrirjen” e politikave fiskale për 10 vite. Duke ngrirë politikat fiskale për një dekadë, ajo premton të sigurojë një klimë të qëndrueshme për investimet e brendshme dhe të huaja, duke eliminuar pasiguritë që sot pengojnë sipërmarrjen dhe zhvillimin ekonomik.
Partia Mundësia vlerëson se administrata shqiptare sot është e fryrë, joefikase dhe shpeshherë abuzive me fondet publike. Nëpërmjet reduktimit të burokracisë, eliminimit të punësimeve fiktive dhe kontrollit të rreptë mbi shpenzimet, mund të kursehen të paktën 1 miliard euro në vit.
Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet drejtohet nga avokati Adriatik Lapaj dhe ka gjithashtu një program të spektrit të djathtë. Edhe Koalicioni Shqipëria Bëhet propozon taksim të sheshtë në masën 10%.
Lidhur me TVSH-në, Shqipëria Bëhet propozon një skemë të rimbursimit për qytetarët. Sipas programit, TVSH do të paguajnë të gjithë, për të gjitha produktet, por deri në 10% të saj shteti do t’ua kthejë qytetarëve në fund të vitit. Programi gjithashtu parashikonte heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër karburant dhe heqja 5 lekë për litër nga tarifat e tjera në fuqi.
Lëvizja Bashkë është një parti e spektrit politik të majtë, e drejtuar nga pedagogu Arlind Qori.
Në programin e saj, Lëvizja Bashkë vendos si objektiv rritjen e taksave dhe të ardhurave të buxhetit në nivelin e 33% të PBB-së brenda katër viteve, nisur nga rreth 28% që është sot, me qëllim për të përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme cilësinë e shërbimeve publike bazë si shëndetësia dhe arsimi, mbrojtjen sociale, rritjen e solidaritetit dhe kohezionit social (pensionet dhe ndihmën ekonomike të shtresave në nevojë), për të mbështetur gjithashtu një rritje ekonomike më të lartë, bujqësinë dhe industrinë përpunuese, investimet në teknologji të reja etj.
Në tatimin mbi të ardhurat personale, Lëvizja Bashkë mbështet parimin e tatimit progresiv të të ardhurave personale, me më shumë fasha dhe nivel më të lartë përshkallëzimi, në raport me skemën aktuale.
Krahas deklarimit mujor të të ardhurave personale nga punësimi, Lëvizja Bashkë angazhohej për një deklarim vjetor të të ardhurave personale në tërësi, e cila do të mbështetet në njësinë familjare të deklaruesit kryesor në njërën anë, si dhe do të marrë në konsideratë nivelin e minimumit jetik të familjes në anën tjetër. Kombinimi i të ardhurave vjetore/familjare dhe minimumit jetik do të shërbejë për të bërë korrigjimet përkatëse të nivelit të tatimit.
Lëvizja Bashkë premtonte rikthimin e tatimin mbi dividendin në masën 15% dhe gjithashtu vendosjen e një skeme të diferencuar të tatimit të fitimit.
Për investimet që rrisin ndjeshëm kapacitetin teknologjik, produktivitetin e punës dhe ngjitin ekonominë vendase në zinxhirin global të vlerës, do të aplikohet një normë tatimfitimi prej 3% (sot është 5%).
Për investimet e tjera, do të aplikohen tri shkallë tatimore, përkatësisht 10, 15 dhe 20%. Aplikimi i këtyre shkallëve do të mbështetet në shkallën e fitimit të tatueshëm dhe llojin e sektorit./ Monitor