Ndonëse FMN është kundër, qeveria shqiptare ka publikuar për konsultim draftin për amnistinë fiskale dhe penale për deklarim vullnetar të pasurisë. Qytetarët shqiptarë rezident apo emigrantët që kanë të ardhura informale ose pasuri mund ti deklarojnë ato duke përfituar amnisti deri në vlerën 2 milionë euro.
Në amnisti do të përfshihen të gjitha të pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të krijuara deri në datën 1 janar 2022. nga kjo nismë nuk mund të përfitojnë zyrtarët e lartë apo politikanët.
Projektligji ka për qëllim mundësojë legalizimin e pasurive të padeklaruara edhe nga puna në të zezë, por jo kriminale, duke paguar një tatim prej 7% të shumës totale nëse deklarimi behet brenda 4 muajve të parë nga hyrja në fuqi e ligjit. Pas këtij afati tatimi kap vlerën e 10% të shumës totale. Qytetarët apo bizneset që do deklarojnë do të duhet të paguajnë një tatim i cili ndahet në dy fasha.
Ata persona që do të deklarojnë të ardhurat informale nuk do të mund ti tërheqin ato për një periudhë 5 vjeçare që nga momenti i depozitimit të tyre. Në përfundim të procedurës së deklarimit vullnetar. Nëse do të kërkojnë që t’i transferojnë këto të ardhura do t’u mbahet penalitet në masën 30%.
Për të realizuar deklarimin e pasurisë do të ngrihet një njësi e posaçme në varësi të drejtorisë së tatimeve e cila do të ruajë konfidencialitetin e çdo personi që do të vetëdeklarojë. Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër nismës së amnistisë fiskale me arsyetimin se kjo do të nxisë futjen në qarkullim të parave të pista.
Ja kush nuk përfiton nga amnistia
Pse FMN është kundër?
Sipas FMN pasi amnistia krijon mundësi për pastrim parash dhe evazion. Ajo ka shprehur shqetësimin e heqjes së tatim fitimit për bizneset e vogla, duke rekomanduar që pragu i TVSH-së dhe tatim fitimit të unifikohen në një nivel të studiuar mirë.
“Kemi ndjekur me shqetësim një propozim të kohëve të fundit për të hequr deri në vitin 2029 tatimin mbi fitimin për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë dhe TVSH- në për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 10 milionë lekë. Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cënuara nga këto kriza është e përligjur, por ajo duhet të jetë e përkohshme, e mirëorientuar, transparente, si edhe e integruar në një program të besueshëm dhe të kujdesshëm buxhetor afatmesëm. Pragjet për regjistrimin në përgjegjësinë tatimore për tatimin mbi fitimin dhe për TVSH-në duhet të unifikohen në një nivel i cili do të duhej të përcaktohej me kujdes, në përputhje me objektivat e strategjisë afatmesme për të ardhurat. Vendosja e pragut në një nivel shumë të lartë për një periudhë tepër të gjatë, do të gërryente bazën tatimore dhe do të cënonte përmbushjen e detyrimeve nga subjektet tatimore. Gjithashtu, ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, pasi do të cënonte përmbushjen e detyrimeve tatimore. Duhen krijuar së pari sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion”, thuhet në deklaratë.
Një reagim për amnistinë ka pasur edhe PD. Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Ivi Kaso e quan “operacion kriminal pastrimi parash të pista”.
Lexo edhe: “Amnistinë Fiskale”, reagon PD: Operacion kriminal pastrimi parash të pista
Ja pra që nuk e paska patur për emigrantët që donin të dërgonin 30 000 £ në Shqipëri e gjoja s’mund ta bënin lehtësisht, por e paska patur për ata “hallexhinjtë” e tjerë… vëllain, motrën, shokun, mikun, shoferin, dashnoren e kujtdo që është pasuruar nëpërmjet krimit e korrupsionit e paskan hallin e madh se si do legalizojnë nga 2 mln € pasuri për kokë.
Hall i madh s’ke ç’thua por veç për këto lloj hallesh mendon kjo maxhorancë mbasi s’la hall tjetër pa ju lëshuar në shpinë shqiptarëve! Operacion më kriminal pastrimi parash të pista nuk besoj se mund të ketë, në projektim e zbatim, as në ndonjë vend të botës së tretë e jo më në një vend që aspiron të hapë negociatat për anëtarësim. Shuplakë fytyrës MONEYVAL-it që na ka shpallur tashmë “delja e zezë” e Evropës dhe çdo naivi që ka ndonjë iluzion mbi drejtimin që ka marrë ky vend”, shkruan Kaso.
/Express