string(79) "fluturimi-mbi-teatrin-e-kosoves-kerkohet-heqje-e-pjeseve-te-tekstit-nga-shfaqja"

Arte

Gazeta Express

26/05/2025 16:38

“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, kërkohet heqje e pjesëve nga teksti i shfaqjes  

Arte

Gazeta Express

26/05/2025 16:38

Në një deklaratë për media të lëshuar nga drejtues të Teatrit ‘Adriana’ në Ferizaj, kanë bërë me dije së premiera e paraparë të mbahet më 14 qershor po has neper pengesa. Behet fjalë për shfaqjen “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” të Jeton Nezirajt, në regji të Agon Myftarit, që po realizohet në Teatrin “Adriana” të Ferizajt.

Në këtë deklaratë të lëshuar, thuhet që trupa dhe ekipi i shfaqjes po përballet me pengesa e njëra nder to është edhe kërkesa për heqje të pjesëve të tekstit nga shfaqja.

Deklarata e plotë:

Teatri “Adriana”, Ferizaj

Data: 26 maj 2025

“Një premierë përtej pengesave”

Është e pabesueshme që në vitin 2025, kur flitet për liri krijuese dhe mbështetje për artin, të përballemi ende me forma të censurës dhe kufizimeve ndaj shprehjes artistike.

Pikërisht këtë kemi përjetuar gjatë procesit krijues të shfaqjes “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” të Jeton Nezirajt, në regji të Agon Myftarit, që po realizohet në Teatrin “Adriana” të Ferizajt.

Teksti i plotë i shfaqjes (pa shkurtime, sipas konceptit regjisorial) është dorëzuar për verifikim më 15 maj, dhe më pas, më 22 maj, kemi dërguar një reagim zyrtar ndaj vërejtjeve të institucioneve relevante, përfshirë Drejtoreshën e DKRS-së. Përkundër kësaj, trupës sonë i janë vendosur pengesa të njëpasnjëshme:

• është kërkuar heqja e pjesëve nga teksti,

• mungesa e buxhetit për blerjen e materialeve të nevojshme është komunikuar vetëm pak ditë më parë,

• dhe data e shfaqjes — nga ana jonë një kompromis i sinqertë — është shtyrë nga 7 qershori në 14 qershor, për të mundësuar gjetjen e një zgjidhjeje institucionale.

Megjithatë, ajo që kemi përjetuar është një sabotim i heshtur dhe një formë e censurës indirekte që synon të shuajë zërin tonë artistik, jo duke e ndaluar hapur, por duke e bllokuar përmes mungesës së mbështetjes. Por kjo nuk do të na ndalë.

Ne, si trupë teatrore dhe si institucion, kemi marrë vendimin që shfaqja do të ngjitet në skenë më 14 qershor 2025, ashtu siç është planifikuar. Edhe nëse kjo do të thotë të riciklojmë kostume e skenografi nga prodhime të mëhershme, edhe nëse duhet të sigurojmë vetë blerjet minimale të materialeve. Sepse kjo nuk është më vetëm një çështje e mbijetesës artistike, por një çështje e mbrojtjes së lirisë krijuese që i takon çdo artisti dhe çdo institucioni kulturor.

Është paradoksale dhe shqetësuese se si disa individë marrin bajrakun e patriotizmit duke akuzuar tërthorazi artistët si antikombëtarë, dhe në emër të një lloj nacionalizmi primitiv, përpiqen të kufizojnë të drejtën krijuese — për të cilën të njëjtët kanë luftuar në vitet 1998–1999. Patriotizmi i vërtetë konsiston në lirinë e fjalës, të shprehjes, dhe të krijimit. Pjesëmarrësit në këtë shfaqje, por edhe familjarët e tyre, kanë vuajtur burgun dhe kanë dhënë jetën pikërisht për këtë të drejtë.

Paradokse të tilla, edhe pas 26 vjetësh pas luftës, nuk i duron më as artisti, as qytetari i Kosovës.

Për këtë arsye, i bëjmë thirrje publikut, mediave, komunitetit artistik dhe çdo qytetari që beson në lirinë e mendimit dhe të shprehjes:

Të mos heshtim kur arti pengohet.

Të jemi bashkë kur arti sfidohet.

Më 14 qershor, në skenën e Teatrit “Adriana”, nuk do të shfaqet vetëm një vepër. Do të shfaqet vetë qëndrimi ynë ndaj lirisë!