Autoritetet po organizojnë një fluturim të ri për evakuimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga disa vende të Lindjes së Mesme. Avioni pritet të niset nga Rijadi, kryeqyteti i Arabisë Saudite, ndërsa për shkak të mungesës së marrëveshjes për fluturime direkte me autoritetet saudite, ulja do të bëhet në aeroportin e Prishtinës. Prej aty, pasagjerët do të transportohen me autobusë drejt Shkupit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, deri më tani janë regjistruar gjithsej 153 pasagjerë që do të nisen nga aeroporti në Rijad. Nga ta, 9 janë nga Arabia Saudite, 15 nga Bahreini, 96 nga Katari dhe 33 nga Kuvajti.
Nga ministria theksojnë se organizimi i fluturimit dhe të gjitha shpenzimet e lidhura me të mbulohen nga Qeveria përmes MPJ-së dhe Tregtisë së Jashtme.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, më herët deklaroi se evakuimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga vendet e rajonit po realizohet në mënyrë të koordinuar dhe se pritet të përfundojë deri në fund të javës.
Ndërkohë, dje në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mbërriti grupi i dytë i qytetarëve që u evakuuan nga Dubai, duke u larguar nga territori i Emirateve të Bashkuara Arabe. Në atë fluturim udhëtuan gjithsej 150 pasagjerë, prej të cilëve 125 ishin shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa të tjerët shtetas të disa vendeve të rajonit dhe Evropës.
Sipas të dhënave të ministrisë, aktualisht në Emiratet e Bashkuara Arabe ndodhen rreth 200 shtetas të Maqedonisë së Veriut, por deri tani ata nuk kanë kërkuar evakuim.
tag_katrorimaqedoni_2
Rrjeti i pikave të Shell në Kosovë ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, pas kalimit në pronësi...