Florida është bërë shteti i parë amerikan që ka ngritur një padi kundër kompanisë OpenAI lidhur me dizajnin dhe sigurinë e chatbot-it të saj të inteligjencës artificiale, ChatGPT.
Padia e gjerë, e ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm i Floridës, James Uthmeier, pretendon se OpenAI dhe drejtuesi i saj, Sam Altman, po rrezikojnë dhe po krijojnë varësi te fëmijët, po ndihmojnë dhe mbështesin autorët e të shtënave masive dhe po nxisin përdoruesit drejt vetëvrasjes, ndërsa kompania ndjek fitimin financiar, raporton BBC
Në një deklaratë në përgjigje të padisë, OpenAI tha se ka vendosur “masa mbrojtëse dhe politika udhëheqëse në industri”.
Veprimi ligjor vjen në një kohë kur Florida po zhvillon gjithashtu një hetim penal për të përcaktuar nëse ChatGPT ka luajtur ndonjë rol në vrasjen e dy personave gjatë një sulmi me armë në Florida State University vitin e kaluar.
Padia civile e Floridës synon gjithashtu ta mbajë Altman personalisht përgjegjës për sjellje të pretenduara “të pamatura dhe të qëllimshme”, përfshirë një “shpërfillje të plotë të rrezikut ndaj jetës njerëzore të shkaktuar nga veprimet e kompanive të tij”, sipas ankesës.
Padia përmban disa akuza ndaj OpenAI, përfshirë: Praktika mashtruese dhe të padrejta tregtare, neglizhencë, shkelje të ligjeve për përgjegjësinë e produktit, keqinterpretim mashtrues dhe shkaktim të shqetësimit publik.
Ankesa përmend si sulmin me armë në Florida, ashtu edhe vrasjen e dy studentëve të doktoraturës, ku i dyshuari thuhet se i kishte bërë ChatGPT pyetje rreth mënyrës së asgjësimit të trupave të njeriut, sipas prokurorëve.
“Në garën për inteligjencën artificiale, Sam Altman dhe ChatGPT kanë zgjedhur të vënë përparësi garën teknologjike mbi sigurinë e fëmijëve tanë. Ata kanë zgjedhur fitimin mbi sigurinë publike dhe ne nuk do ta tolerojmë këtë në Florida. Ne do t’i mbajmë përgjegjës” tha Uthmeier në një konferencë për shtyp të hënën.
Padia vjen në një kohë kur OpenAI po përballet me një sërë padish që vënë në pikëpyetje praktikat e saj të sigurisë. Disa prej tyre pretendojnë se ChatGPT ka vepruar si një “trajner për vetëvrasje” dhe ka nxitur iluzione ose bindje të dëmshme te përdoruesit.
Familjet e disa viktimave të sulmit masiv me armë në Kanada kanë paditur gjithashtu OpenAI. Kompania bllokoi llogarinë ChatGPT të të dyshuarit për shkak të përdorimit problematik, por nuk njoftoi autoritetet.
Kompania ka kërkuar falje që nuk kontaktoi policinë, por ka deklaruar se aktiviteti i llogarisë së të dyshuarit nuk e përmbushte pragun e saj për ta konsideruar si një plan të besueshëm ose të afërt për shkaktimin e dëmit serioz fizik ndaj personave të tjerë.
Edhe kompani të tjera të mëdha teknologjike po përballen me sfida të ngjashme ligjore.