Ylli i ri i Liverpool-it, Florian Wirtz, e nisi në mënyrë perfekte aventurën me “The Reds”, duke shënuar golin e parë në fitoren 3-1 kundër skuadrës japoneze Yokohama F. Marinos, në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Japoni.
Mesfushori 22-vjeçar, i transferuar këtë verë nga Bayer Leverkusen, u shpall Lojtari i Ndeshjes për paraqitjen e tij mbresëlënëse dhe u shpërblye me një dhuratë të pazakontë — një milion yen japonezë, që përkthehen në rreth 5,000 paund britanikë.
Ndeshja shërbeu si pjesë e përgatitjeve për sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit të ri Arne Slot, me Liverpool-in që synon të mbrojë titullin e Premier League.
Të rinjtë shkëlqejnë, Wirtz rrëmben vëmendjen
Përveç Wirtz-it, edhe dy të rinj të talentuar, Trey Nyoni dhe Rio Ngumoha, gjetën rrjetën për skuadrën angleze, duke lënë përshtypje të forta te stafi teknik dhe tifozët.
Ndërkohë, sulmuesi i sapoardhur Hugo Ekitike bëri debutimin e tij me fanellën e Liverpool-it pas transferimit nga Eintracht Frankfurt për një shumë që mund të arrijë deri në 79 milionë euro.
Portieri titullar Alisson Becker nuk ishte i pranishëm për arsye personale, dhe në vend të tij debutoi gardiani gjeorgjian Giorgi Mamardashvili, një tjetër përforcim i kësaj vere.
Slot: “Privatësia më e rëndësishme se çdo gjë”
Para ndeshjes, Arne Slot konfirmoi për Liverpoolfc.com:
“Alisson është kthyer në Brazil për arsye personale. Nuk është ideale, as për të si individ, as për skuadrën. Por jeta private ka prioritet para një ndeshjeje parasezonale “
Të gjithë sytë nga Wirtz
Përveç lojtarëve të rinj, në fushë ishin edhe emrat e mëdhenj si Mohamed Salah, Virgil van Dijk, Cody Gakpo, Ibrahima Konate, Ryan Gravenberch dhe Dominik Szoboszlai. Gjithsesi, ishte Wirtz ai që rrëmbeu vëmendjen me një paraqitje të matur, kreative dhe me finalizim të saktë.
Reagimet nga tifozët ishin të menjëhershme:
“Wirtz do të bëjë mrekulli te Liverpool.”
“Ai është një superyll.”
“Një gol me klas dhe qetësi për moshën që ka.”
“Szoboszlai dhe Wirtz ishin më të mirët në pjesën e parë, ndërsa Ngumoha dhe Frimpong shkëlqyen në të dytën.”
Axhenda e Liverpool-it: rikthimi në Anfield dhe përballja në Community Shield
Liverpool do të luajë dy ndeshje miqësore më 4 gusht në Anfield kundër Athletic Club, para se të përballet me Crystal Palace në FA Community Shield më 10 gusht në Wembley.
Ndërkaq, aventura në Premier League për sezonin 2025/26 nis më 15 gusht, kur “The Reds” do të presin Bournemouth në “Anfield”. /GazetaExpress/
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...