I lindur në Shkodër dhe i rritur në futbollin shqiptar te Vllaznia, Flori Spahija po e shijon përvojën e tij në Kosovë dhe në futbollin kosovar.
“Më pëlqen aq shumë, sa i them familjes, hajdeni edhe ju në Kosovë”, tha ai për Gazetën Express.
Në një intervistë me Gazetën Express, 22-vjeçari shkodran – i cili po luan si mbrojtës i majtë te Vjosa, me të cilën po shkëlqen në Ligën e Parë – flet për të gjitha.
Nga kalimi prej futbollit shqiptar në atë kosovar, e deri te puna me trajnerin Megzon Visoka. Nga synimet e Vjosës deri të synimet e tij.
Gjatë verës, Flori Spahija kaloi nga Vllaznia – klubi ku u rrit si futbollist qysh nga akademia deri tek ekipi i parë – te Prishtina.
Por, menjëherë, ai kaloi në huazim te Vjosa në Ligën e Parë. Spahija tregon arsyen e këtij vendimi.
“Vija nga një dëmtim shumë i rëndë në fillimin tim tek Vllaznia, pavarësisht se kisha disa oferta nga Superliga shqiptare dëshira ime ishte të lëvizja. Shokët e skuadrës nga Kosova më kishin folur shumë mirë për kampionatin kosovar dhe sidomos për Prishtinën. Më pritën shumë mirë dhe u ndjeva si i shtëpisë. Koha e gjatë e rikuperimit kërkonte që unë të luaja sa më shumë, prandaj ramë dakord me drejtuesit e Prishtinës që të huazohesha tek Vjosa qe te kisha mundësi t’i rikthehesha formës më të mirë. Besoj se kemi bërë veprimin e duhur”, tha ai fillimisht për Gazetën Express.
Fillimisht, ai ishte i huazuar te Vjosa vetëm për gjashtë muaj, mirëpo e vazhdoi edhe për gjashtë muaj të tjerë.
“Tek Vjosa kam gjetur një mikpritje shumë të mirë. Aktivizimi i vazhdueshëm më ka ndihmuar shumë që të rifitoj besimin dhe formën time. Normalisht kontrata e huazimit më mbaronte në dhjetor, por stafi teknik i Vjosës, shokët e ekipit dhe lojtarët e ardhur në dhjetor më motivuan më shumë për të qëndruar e për të bërë më të mirën për ekipin e Vjosës, që besoj që po ja dalim të gjithë së bashku”, tha ai tutje.
Cilat janë synimet e Vjosës për pjesën e mbetur të sezonit?
“Siç e dini Vjosa u ndërtua si ekip shumë pak dite para fillimit të kampionatit. Patëm një fazë të parë të vështirë. Por me ardhjen e tranjerit të ri [Megzon Visoka], dhe me disa lojtarë të ardhur në dhjetor çdo gjë ka ndryshuar. Stafi teknik dhe shokët e skuadrës kanë bërë një punë shumë të mirë. Punojmë shumë dhe rezultatet janë të dukshme. Asnjë ekip në ligë s’do e ketë të lehtë me Vjosën deri në fund. Se deri ku do shkojmë atë do e shohim me fundin e kampionatit”, vazhdoi Spahija.
“Unë momentalisht punoj fort dhe mundohem të jap më të mirën për Vjosën”, bëri me dije ai, kur u pyet se çka synonte nga ky sezon me Vjosën.
Për fund, ai zbuloi se kush e ka ndihmuar më shumë gjatë aventurës me Vjosën.
“Trajneri [Megzon Visoka] dhe stafi i Vjosës më ka qëndruar shumë pranë dhe më ka ndihmuar shumë në anën profesionale”, e mbylli ai.
Spahija e kishte përfaqësuar edhe kombëtaren e Shqipërisë U21 në një ndeshje, teksa më herët kishte luajtur edhe për komëbtaret U19 dhe U17 të Shqipërisë.
Momentalisht, Vjosa është e 12-ta në Ligën e Parë të Kosovës, me 26 pikë të tubuara nga 24 xhiro./GazetaExpress/