Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka dëgjuar gjithnjë e më shumë pakënaqësi nga tifozët në “Bernabeu” këtë sezon.
Kritikat për paraqitjet zhgënjyese nuk janë drejtuar për momentin ndaj trajnerit Alvaro Arbeloa, por ndaj drejtuesve në tribunën presidenciale, gjë që mund të ketë pasoja të mëdha për disa prej njerëzve më të afërt të tij.
“Los Blancos” tashmë po kërkojnë një zëvendësues për Arbeloan këtë verë, me emra si Massimiliano Allegri, Unai Emery dhe së fundmi Mauricio Pochettino që janë lidhur me këtë post.
Megjithatë, sipas raportimit të “ESPN”, mund të mos jetë vetëm posti i trajnerit në rrezik këtë verë.
Raportimi sugjeron se një “ristrukturim i madh” në zyrat drejtuese të klubit është gjithashtu në tavolinë.
Sipas tyre, drejtori i skautimit Juni Calafat mund të përballet me shkarkim.
Braziliani ka qenë te Real Madrid për 12 vitet e fundit dhe u emërua shef i skautimit në vitin 2017.
53-vjeçari është shumë i respektuar në “Bernabeu”, sidomos pasi identifikoi dhe ndihmoi në transferimet e Vinicius Junior dhe Rodrygo Goes, dhe është një nga të paktët njerëz që kanë ndikim te Perez kur bëhet fjalë për transferimet.
Megjithatë, sipas “ESPN”, disa afrime më të fundit – si Franco Mastantuono, Dean Huijsen dhe Trent Alexander-Arnold – kanë vënë në pikëpyetje gjykimin e Calafat.
Nëse Real Madridi e mbyll sezonin pa trofe për të dytin vit radhazi, marrëdhënia e tij e fortë me Perez mund të mos mjaftojë për ta shpëtuar nga largimi dhe ai mund të jetë pjesë e një “ristrukturimi serioz” në krye të klubit.
Calafat është pjesë e një grupi të vogël njerëzish që kanë ndikim në rekrutimin e lojtarëve te Real Madridit, edhe pse Perez mban gjithmonë fjalën e fundit për transferimet.
Menaxheri i përgjithshëm Jose Angel Sanchez ka gjithashtu ndikim në këto vendime, ndërsa Santiago Solari është drejtor sportiv në letër, por roli i tij në vendimmarrje mendohet të jetë më i vogël./GazetaExpress/