Florenc Çapja, 44 vjeç, një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ka mbërritur pasditen e së premtes në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” rreth orës 17:00. Masat e sigurisë në aeroport u rritën ndjeshëm me praninë e forcave speciale RENEA, që “blinduan” zonën përreth gjatë operacionit të dorëzimit.
Ekstradimi i Çapjes është rezultat i një operacioni të koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Emirateve, pas afro 8 vitesh qëndrimi të tij në Dubai. Menjëherë pas mbërritjes në Shqipëri, ai u shoqërua drejt një burgu të sigurisë së lartë, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm.
Florenc Çapja akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si porositës i vrasjes së dyfishtë të Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012 në Elbasan. Ai është gjithashtu i dyshuar për përfshirje në një sërë aktivitetesh kriminale, përfshirë trafik ndërkombëtar, organizim të grupeve kriminale dhe porosi të tjera për vrasje.