Hansi Flick po e shijon suksesin e Barcelonës së tij, e cila e mposhti mbrëmë Rayo Vallecanon me rezultat 1:0 për ta marrë primatin në La Liga, të cilin tash e ndan së bashku me Real Madridin.
Trajneri gjerman u pyet për mungesën e habitshme të mbrojtësit Jules Kounde, ndërsa sqaroi gjithçka pas ndeshjes së mbrëmshme, shkruan “Gazeta Express”.
“Para një loje dua që të gjithë ta dinë se çka duhet të bëjnë në fushë dhe i kemi 2-3 takime. Ai arriti me vonesë dhe siç e parashohin rregullat e klubit, më pas ndodh ajo që ndodhi sot. E bëra këtë për respekt ndaj shokëve të tij të skuadrës, ndaj klubit dhe ndaj tifozëve”, deklaroi trajneri i Barcelonës.
Kounde pritej të startonte si mbrojtës i djathtë, por një orë para ndeshjes kur u publikua 11-shja e parë, u pa mungesa e emrit të futbollistit francez, i cili u zëvendësua me Hector Fort.
Sa për informatë, Barcelona fitoi në fund me rezultat 1:0 falë golit të Robert Lewandowskit, të shënuar nga penalltia në pjesën e parë. /Gazeta Express