Hansi Flick e ka dërguar një mesazh të qartë në konferencë për shtyp, duke i sqaruar planet e tij të ardhshme dhe besimin e plotë në projektin e Barcelonës.
Trajneri gjerman përsëriti se nuk ka asnjë plan për të shkuar apo punuar diku tjetër, duke nënvizuar se klubi katalunas është vendi ku ai dëshiron të jetë dhe ku synon ta përfundojë karrierën e tij si trajner profesional, shkruan “Gazeta Express”.
Flick, i cili është në bankinën e Barcelonës që nga maji i vitit 2024, po e ndërton një skuadër konkurruese dhe me identitet, duke fituar tashmë trofe dhe duke e çuar klubin drejt objektivave madhore në La Liga dhe Champions League këtë sezon.
Në prononcimin e tij më të fundit, Flick u shpreh se ndihet totalisht i përkushtuar ndaj projektit të Barcelonës dhe nuk parashikon ta drejtojë ndonjë klub tjetër në të ardhmen.
“Unë jam plotësisht i përqendruar këtu. Nuk shkoj askund tjetër. Barcelona do të jetë puna ime e fundit si trajner.”
Kjo deklaratë vjen në një moment kur klubi po zhvillon bisedime edhe për vazhdimin e kontratës së tij.
Sipas raportimeve të fundit, presidenti Joan Laporta është i vendosur ta lidhë Flick me klubin për sezonet në vijim, me negociatat që janë në fazë përfundimtare dhe me një marrëveshje të mundshme deri në vitin 2028.
Që kur u emërua trajner i Barcelonës, Flick i ka regjistruar disa nga momentet më të rëndësishme të epokës së tij me klubin. /Gazeta Express