Barcelona ka hyrë në pauzën ndërkombëtare me një fitore tjetër, teksa mundi Rayo Vallecanon 1-0 të dielën pasdite.
Katalanasit tani kanë një avantazh prej shtatë pikësh në garën për titullin e La Ligës, edhe pse kjo do të ulej në katër pikë nëse Real Madridi fiton derbin e Madridit ndaj Atleticos.
Sipas “Marca”, trajneri Hansi Flick bëri vlerësimin e tij për 90 minutat në “Spotify Camp Nou” gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes.
Ai lavdëroi performancën e Rayos, megjithatë u shpreh i kënaqur që skuadra e tij bëri mjaftueshëm për të siguruar fitore.
“Jam i lumtur. Nuk ka qenë e lehtë për ne, por pas kaq shumë ndeshjeve në javët e fundit, e rëndësishme kanë qenë tre pikët. Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, por Rayo luajti një lojë fantastike. Iñigo (Perez) bëri një punë të shkëlqyer, me moshën e tij… Më pëlqen shumë skuadra e tij. Ka stil dhe futboll të madh. E përgëzoj”, tha ai fillimisht.
Joan Garcia ishte lojtari më i spikatur i Barcelonës kundër Rayos, duke bërë disa pritje vendimtare për të mbajtur portën e paprekur dhe për të siguruar një tjetër fitore.
Flick ishte i kënaqur me portierin e tij, i cili do t’i bashkohet kombëtares së Spanjës gjatë pauzës ndërkombëtare.
“Ai ka treguar forcën dhe cilësinë që ka; dhe ka mbajtur portën e paprekur. Kjo është arsyeja pse e sollëm te Barça. Jam i lumtur për të. E meriton të jetë në kombëtare”, shtoi Flick.
Flick gjithashtu shprehu kënaqësinë për Ronald Araujon, i cili shënoi golin vendimtar për Barcelonën në “Camp Nou”.
“Jam shumë i lumtur, sepse gjithashtu shënoi një gol të rëndësishëm për ekipin. Duhet të jemi të kënaqur për të. Ka treguar stabilitet, dhe është i rëndësishëm në goditjet nga këndi. Goli do t’i japë besim”, vazhdoi tutje gjermani.
Flick gjithashtu konfirmoi se Joao Cancelo, i cili gjithashtu bëri një paraqitje të mirë ndaj Rayos, nuk është i dëmtuar, megjithëse u zëvendësua në fund të ndeshjes.
“Ai nuk është i dëmtuar. E përgëzoj, pati një pjesë të dytë të pabesueshme. Duhej ta ndryshonim, por është e mahnitshme se si e përballoi. Jam shumë i lumtur për të dhe për paraqitjen e tij. Ka bërë shumë mire”, e mbylli Hansi Flick./GazetaExpress/