Nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviq, është arrestuar dje nga Policia e Kosovës.
Arrestimi i saj është bërë nën dyshimin se ka sulmuar një ish-zyrtare të Komunës, e cila kishte kërkuar vendimin për largimin nga puna.
Pas arrestimit, Bogojeviq është liruar në procedurë të rregullt.
Nënkryetarja mohoi se e ka sulmuar Vida Vukadinoviqin, duke shtuar se ish-zyrtarja po i kërkonte kryetarit një vendim zyrtar për ndërprerjen të kontratës së saj mbi shërbimin, mirëpo siç thot ajo, Komuna nuk lëshon vendime të tilla kur përfundon kontrata e shërbimit.
“Ajo tashmë i kishte marrë kontratat sipas të cilave punoi me ne për një vit e gjysmë. Administrata veçse ia kishte siguruar asaj ato kontrata, për qëllimet që ajo i kërkonte. Sa donim të niseshim, pranë meje ishin kryetari i komunës, ishin drejtorë nga kabineti i tij, meqenëse po na priste vetura përpara ndërtesës së komunës për të na çuar në terren”- tha nënkryetarja.
Sipas Bogojeviqit, ndonëse kryetari Lulzim Hetemi ia shpjegoi ish-zyrtares se kishte mbaruar punë dhe se kishte dorëzuar certifikatat, kishte marrë kontratat e saj dhe se, për sa i përket Komunës, ajo nuk kishte më shërbime për të kryer, zyrtarja po vazhdonte të qëndronte ende në objekt dhe “kërkonte llogari”.
“M’u drejtua personalisht mua, duke thënë se unë isha fajtore. Për gjithçka që po i ndodhte, për refuzimin në konkurset e punës. Ne dolëm dhe shkuam në terren dhe deri kur u thirra në stacionin e Policisë për të dhënë deklaratë lidhur me akuzat se e kisha sulmuar verbalisht dhe fizikisht znj. Vida Vukadinoviq. I mohoj kategorikisht të gjitha deklaratat e saj. Ashtu edhe ato të regjistruara nga Policia, pasi raporti im është dorëzuar në Polici dhe kam gjithashtu dëshmitarë: portierët, kryetarin e Komunës dhe të gjithë zyrën e Komunës së Leposaviqit”- theksoi nënkryetarja.
Veton Elshani, zëvëndësdrejtor i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, potencoi se Bogojeviq është arrestuar në cilësinë e të dyshuarës me ç’rast më pas është liruar.
“Nënkryetarja është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Ka pasë shtyrje ose diçka të ngjashme. Për shkak të shtyrjes është cilësuar rasti si sulm mirëpo sa unë kam informata nuk ka pasur lëndime apo diçka të tillë”- tha Elshani.
KALLXO.com provoi të marrë një përgjigje edhe nga kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, mirëpo ai nuk ishte i qasshëm.