Flamuri: Sulmi ndaj vetvetes - Gazeta Express
string(27) "flamuri-sulmi-ndaj-vetvetes"

OP/ED

Gazeta Express

04/03/2021 13:10

Flamuri: Sulmi ndaj vetvetes

OP/ED

Gazeta Express

04/03/2021 13:10

Duket thuajse e pamundur që të kaloj ndonjë 17 shkurt pa pasur diskutime për simbolet shtetërore të Kosovës; në qendër gjithmonë duke qenë flamuri. Për dikë ky flamur është materializim i të arriturave të popullit shqiptar në Kosovë, e për dikë tjetër thjeshtë rezultat i dështimeve tona. Sigurisht, sikur me shumicën e çështjeve, e vërteta qëndron diku në mes.

Po me më shumë rëndësi se simbolika në vetvete është ajo që përfaqësohet nga kjo simbolikë. Sulmet mbi flamurin shtetëror shpesh mund të gjeneralizohen në sulme mbi themelin e shtetit të Kosovës, njësoj sikur lëvdatat që mund të përgjithësohen në mënyrë të ngjashme.

Lexo Edhe:

Trembëdhjete vjet më parë, kur u prezantua për herë të parë në kuvend, flamuri shkaktoi njëfarë gërdie. Në mes të gjithë atij gëzimi disi evitohej diskutimi për të. Në atë eufori, edhe ai abominacion dukej i pranueshëm, megjithëse i neveritshëm. Invertimi i ngjyrave të flamurit kombëtar dukej sikur një përpjekje artificiale për tu dukur komplet antipod i këtij të fundit. Për ti shtuar edhe yjet që, ndonëse të gjithë e dinin që qëndronin për grupet etnike në Kosove, veç një grusht njerëzish mundnin ti emëronin të gjashta. “Shqiptarët, serbët, turqit, romët” thoshin para se të heshtnin në pauzë.

Madje më i popullarizuar ishte ky interpretimi i yjeve si shtetet ballkanike ku kishte shqiptarë, një premisë komplet e kundërt me multi-etniken që imponohej. Ishte e qartë që interpretimi i flamurit ishte një themel shumë i dobët për të që të shndërrohej në simbol të popullit. Sidomos për ne shqiptarët që disi flamurin (atë me shkabë) e kemi mbajtur në të njëjtin nivel me vetë Shqipërinë, mos edhe më lartë. Duke iu referuar ditës se pavarësisë si “dita e flamurit” dhe himnit shqiptar si “himni i flamurit”, kjo krenari me flamurin u kultivua për dekada të tëra. Tani, në një moment e me një shpalosje në kuvend, të pritej i njëjti afeksion ndaj gjashtë yjeve sikur ndaj shkabës së Skënderbeut do ishte marrëzi.

Përkundër kësaj gërdie për flamurin, njerëzit dukeshin neutral ndaj tij për shkak të asaj që flamuri përfaqësonte përtej yjeve, hartës, e sfondit blu. Flamuri vërtetonte shtetësinë e Kosovës, në nivel simbolik të paktën. Pikërisht nga ky vështrim ishin edhe sulmet ndaj tij; ai kritikohej në kurriz të problemeve që kishte Kosova. Deklarata e famshme e Albin Kurtit më 28 nëntor 2015 kujtohet kryesisht për atë pjesën ku Kurti e quan flamurin e Kosovës “flamuri lara-lara”, por më e rëndësishme është pjesa që i paraprinë këtij gjykimi. Kurti thoshte që vetëm me flamurin kombëtar ne mund të përparojmë. Sikurse flamujt të kishin atribute mistike që përcaktonin fatin e popujve të tyre. Për më tepër, nëse kjo do ishte e vërtetë atëherë flamuri shqiptar do ishte ndër më të pafatët.

I humbur për disa shekuj e i modifikuar nja dhjetë herë brenda një shekulli, flamuri shqiptar përcjellte një popull në mjerim. Ndonëse ende nuk e kuptoj logjikën e Kurtit për atë fjalim, konsideroj që pikërisht te zbutja e kryeministrit të ardhshëm e shohim ngritjen e flamurit lara-lara. Për shumë shqiptarë të Kosovës gërdia u shndërrua në afeksion gjatë këtyre trembëdhjetë viteve; e te Kurti gërdia u shndërrua në indiferencë. Jo se kuptimi formal i flamurit filloi të rezononte me ta, por se ky flamur na përcolli në shumë sfida e suksese. Qoftë Majlinda Kelmendi ne Rio apo trembëdhjetë mijë tifozët në Fadil Vokrri, Kosovarët e zhvilluan një lidhje edhe me flamurin shtetëror. Madje, thuajse për ironi, nganjëherë ky flamur shihet edhe nëpër tubimet e lëvizjes vetëvendosje.

Diskrepanca mes përkufizimit formal dhe burimit te ndjenjave për flamurin nuk është prezente vetëm te shqiptarët. Në fakt, më shumë shihen kontradiktat për flamurin dhe rregullimin shtetëror të Kosovës te ndërkombëtaret. Është vështirë të mendohet që korniza ligjore që sagregon subjektet politike sipas etnisë do te pranohej në ndonjërin nga vendet perëndimore që imponuan atë në Kosovë. Francezët do të qeshnin para një ideje të reprezentimit të grupeve etnike në flamur duke thënë se të gjithë janë francezë e gjërat e tjera janë të parëndësishme. Njësoj do te reagonin edhe Amerikanët, Gjermanët, e Britanikët.

Por edhe pse të gjitha këto vende kanë diversitet më të lartë etnik se Kosova, ato panë të arsyeshme gdhendjen e identitetit multi-etnik të Kosovës në simbolet e saj. Kadare për “strofën e keqe” të himnit kombëtar – atë ku thuhet se Shqipëria do të rrojë – thoshte se i ngjan një kumti që fëmija i frikësuar nga terri këndon për ta mashtruar veten. Njësoj edhe imponimi i multi-etnikës në thuajse çdo aspekt të shtetit të Kosovës është njëfarë vetëmashtrimi nga frika për një shtet tjetër etnik në Ballkan. Me të vërtetë, ky i yni është kundërflamur i atij që do e përcaktonim po të mos kishim kufizime të jashtme.

Por njësoj sikurse “strofa e keqe” që, me të kaluar rreziku për shuarjen e Shqipërisë, u shkëput nga burimi i gjysmë-vetëdijshëm i saj, ashtu edhe flamuri i Kosovës duket se po shkëputet nga shpjegimi formal i hartës së artë e yjeve të bardhë. Në fakt, ai është thjeshtë një bashkudhëtar i shtetit të Kosovës. E se a është ky i fundit vetëm i shqiptareve, vetëm i serbeve, ose diçka në mes, nuk përcaktohet dot nga një pëlhurë në maje të shtyllës. Për kundër asaj që kryeministri në ardhje kishte thënë 6 vite më parë, flamujt nuk përcaktojnë fatin e popujve. E as popujt nuk kanë pse të prioritizojnë flamujt para fatit të tyre.

Valerius