Fjalët si vetëkurthim - Gazeta Express
string(21) "fjalet-si-vetekurthim"

OP/ED

Gazeta Express

27/05/2022 10:35

Fjalët si vetëkurthim

OP/ED

Gazeta Express

27/05/2022 10:35

Zhvatja që i është bërë fjalës gjatë gjithë këtyre viteve ka lënë pasoja që me shumë vështërsi riparohen. Pa një ndërgjegjësim rreth asaj se çfarë themi, e si e themi në publik, nuk do t’mund të funksionojmë normal as si shtet dhe as si shoqëri.

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Bëhu i heshtur ose le të vlejnë fjalët e tua më shumë se sa heshtja, kështu shprehej Pitagora dikur. Mirëpo, në ditët e sotme ky sygjerim i Pitagorës tanimë është i përmbysur; heshtin ata që kanë për të thënë diçka, ndërsa bërtasin ata që s’kanë çfarë të thonë. Jashtëzakonshmëria e fjalëve qëndronë në faktin e zakonshmërisë së tyre a priori. Përveç që mëtojnë t’i japin kuptim një mendimi, fjalët janë vetë mendimi (Heidegger). Dhe niveli më i lartë ku na shpien fjalët janë idetë, konceptet, si shprehja më e lartë që njeriu si qenie racionale mund ta prodhoj. Varësisht edhe nga konteksti, fjalët marrin ose humbin rëndësinë. Mirëpo, një gjë është e sigurt se fjalët çdoherë janë të pranishme qoftë duke ndryshuar një gjendje të caktuar, e që bashkë me do të ndryshojë edhe vetë ato, qoftë duke ndryshuar edhe vet ne bashkë me to. Fjalët janë filli i veprimtarisë sonë. Duke u nisur nga kjo rëndësi që kanë fjalët mund t’i japim shpjegim edhe gjendjes shoqërore në të cilën ndodhemi aktualisht.

Po të kthehemi pak në retrospektivë vërejmë se fjalët dikur për ne kishin shumë domethënie, p.sh., liri, demokraci, paqe, republikë, çlirim etj., këto janë vetëm disa fjalë nga opusi i një konteksti të shkuar, të cilat prodhuan tek ne një realitet tërësisht të ri. Fuqia e këtyre fjalëve varej nga vullneti dhe gatishmëria për t’iu qëndruar pas atyre. Në komunikimin ndërsocial dhe jo vetëm, fjalët në shumicën e rasteve e humbin kuptim kur u mungon argumenti, por ka raste edhe kur subjekti nuk qëndron prapa tyre.

Lufta është një përmbysje e madhe. Me të ndryshon pothuaj se çdo gjë. Paslufta ërveç që është ndryshim rrethane e konteksti, është edhe ndryshim vlerash dhe rëndësia që fjalët kishin dikurë paslufte ato në shumicën e rasteve më nuk e kanë. Janë përplasjet për pushtet moment kur fillon inflacioni i fjalës. Ç’kuptimsimi i saj u bë nga të gjithë ne dhe sot kemi arritur në pikën kur fjala e thënë (qoftë si shenjim apo si shenjues), nuk ka kurrëfarë vlere. Nëse e vëzhgojmë edhe sociologjikisht do të shohim se në një shoqëri kur ndodh degradimi i fjalës aty vet ajo shoqëri përfundon në degradim, prandaj, sot fjala nuk vlen as pesë para! Kur njerëzit e politikës (dhe jo vetëm) filluan ta atakonin njëri-tjetrin publikisht për lloj-lloj delikuencash, deri edhe për krimet shumë monstruoze, ne nuk e kuptonim (dhe as sot nuk e kemi kuptuar) se çfarë hapësire helmuese publike po ndërtonim. Në fillim për masën ishin tronditëse këto akuza. Thuhet se melodia sa do e keqe që mund të jetë në fillim, nëse i ekspozohet veshit vazhdimisht, atëherë këtij të fundit nuk i bën më përshtypje. Kështu ndodhi edhe me ne, u tronditëm në fillim, por dikur dasht e padasht u bëmë edhe ne pjesë e lojës. Edhe pas shpalljes së pavarsisë, kur ne do t’mund të krijonim mekanizma efikas që e mbrojnë qytetarin nga ky ‘rrezatim’, akuzat ndaj njëri-tjetrit nuk kishin të ndalur. Akuzat gjatë gjithë kohës ishin dhe janë serioze: ai është vrasës, i korruptuar, tradhtar, dhunues, spiun etj., dhe kjo shpërfaq dy elemmente: i pari; është se ne nuk kemi mundur të ndërtojmë mekanizma efikas institucional (sistem gjyqësor kredibil), ku e mbrojnë qytetarin nga ky lloj komunikimi dhe elementi i dytë, por shumë tronditës është; se pavarësisht sa e rëndë mund të ishte akuza (fjala) më kjo nuk kishte rëndësi për ne, sepse tanimë përveç që na është mësuar veshi jemi bërë edhe pjesë e kësaj loje të ndyrë. Oscar Wilde thoshte se “Veprimet janë tragjedia jonë e parë në jetë, fjalët janë të dytat. Fjalët janë ndoshta më të këqijat. Fjalët janë të pamëshirshme”. Siç duket ne kemi luajtur pamëshirshëm me to.

Pasojat e krijuara nga kjo çasje destruktive, e gjithanshme dhe nga gjithësecili vetëm sa e ka thelluar mungesën e besimin. Pothuajse, në shoqërinë tonë askush askujt nuk i beson. Kjo ka marrë përmasa të gjithmbarshme – nuk i besojmë mjeksisë (e pamë gjatë pandemisë), nuk i besojmë shkollës, as drejtësisë, as politikës, madje nuk i besojmë as njëri-tjetrit). Zhvatja që i është bërë fjalës gjatë gjithë këtyre viteve ka lënë pasoja që me shumë vështërsi riparohen. Pa një ndërgjegjësim rreth asaj se çfarë themi, e si e themi në publik, nuk do t’mund të funksionojmë normal as si shtet dhe as si shoqëri.