Takimi rreth 170 minutësh Trump -Putin, që ka përfunduar mbrëmë pas mesnate (sipas orës evropiane), është komentuar në mënyra të ndryshme në media të mëdha botërore. Ndonëse të dy liderët u shfaqën me disponim të mirë ndaj njërit -tjetrit, Presidenti i SHBA-së u kritikua që i shtroi tepihun e kuq Putinit, që e la të flasë të parin e më së shumti u potencua që nuk nxori marrëveshje nga ai. Dy palët s’ranë dakord as për armëpushimin, për të cilin Trump shpresonte.
Përveç anës përmbajtjesore, gjatë këtij samiti u komentuan edhe disa mesazhe tjera.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin sapo mori fjalën, i pari pas takimit me Trump, foli për afërsinë territoriale mes dy vendeve. Ai tha se sapo takoi Trumpin i foli si fqinji-fqinjit.
Pjesë nga fjala e Putin:
“Zoti President, zonja dhe zotërinj, negociatat tona janë zhvilluar në një atmosferë konstruktive dhe të respektit të ndërsjellë. Ne kishim negociata të plota që ishin mjaft të dobishme. Do të doja të falënderoja edhe një herë homologun tim amerikan, për propozimin për të udhëtuar këtu në Alaskë. Ka kuptim që jemi takuar këtu, sepse vendet tona, edhe pse të ndara nga oqeanet, janë fqinjë të ngushtë. Kështu që kur u takuam, kur dola nga avioni dhe thashë: ‘Mirëdita, fqinj i dashur. Shumë mirë që të shoh shëndoshë e mirë dhe të shoh të gjallë. Mendoj se është shumë fqinjësore. Mendoj se janë disa fjalë të mira që mund t’i themi njëri-tjetrit. Ne jemi të ndarë nga ngushtica e Beringut, megjithatë, ekzistojnë dy ishuj vetëm midis ishullit rus dhe ishullit amerikan. Ata janë vetëm katër kilometra larg njëri-tjetrit. Ne jemi fqinj të ngushtë dhe kjo është fakt”, tha ai.