Fjala ime në festën e Nobelit - Gazeta Express
string(29) "fjala-ime-ne-festen-e-nobelit"

Fjala ime në festën e Nobelit

Gazeta Express

08/09/2020 14:17

A nuk jam në borxhe, ngaqë pata mundësinë të jetoja në një kohë, kur letërsia e vendit tim kishte arritur lulëzimin më të madh, se pata mundësinë ta njoh princin prej mermeri të Rydbergut, botën poetike të Snoilskyt, arkipelagun e Strin­dbergut, jetën e rëndomtë të Geijerstamit, artin e Tor Hedber­gsit, njerëzit bashkëkohorë të Anne-Charlotte Edgrenit dhe Ernst Ahlgrenit, poezitë e Helena Nyblomit, lindjen e Heiden­stamit, historitë e gjalla të Sophie Elkanit, këngët e Värm­landit të Frödingut, legjendat e Levertinit, pikturat e lëndi­nave të Hallström Thanatosit dhe Karlfeldit si dhe shumë krijime të tjera të reja, frymëzuese për garim dhe të frytshme për ëndërrim?”

Selma Lagerlöf

Lexo Edhe:

Lartmadhëri!

Të nderuar zotërinj dhe zonja!

Para disa vitesh po udhëtoja me tren për në Stokholm. Sa kishte rënë nata. Jashtë ishte errësirë dhe brenda në kupé ishte edhe më errët. Bashkudhëtarët e mi po dremitnin secili në këndin e vet dhe unë e heshtur dëgjoja zhurmën e trenit që lëvizte nëpër binarë.

 Ulur në tren po mendoja për të gjitha ato udhëtime që kisha bërë për në Stokholm. Më së shpeshti kisha udhëtuar për diçka të vështirë. Kisha udhëtuar aty për ta marr diplomën, pastaj kisha udhëtuar me dorëshkrimet e mia për të gjetur ndonjë botues, kurse tani po udhëtoja për ta marr çmimin Nobel. Nuk mendoja se edhe ky udhëtim tani nuk do të ishte i vështirë.

Gjatë tërë vjeshtës unë kisha bërë jetën në shtëpinë time të vjetër në Värmland, në vetmi të plotë, kurse tani duhej të shfa­qesha në mesin e shumë njerëzve. Më dukej sikur aty në vet­mi isha bërë e ndrojtur ndaj jetës dhe lëvizjeve, shqetësohesha vetëm nga mendimi se sërish më duhet të shfaqem jashtë me të tjerët. Por, në esencë, kjo ishte një ndjenjë e mrekullueshme gëzimi që më ishte dhënë çmimi dhe kërkoja që ta flakja shqe­tësimin duke menduar për ata që do të gëzoheshin shumë për gëzimin tim. Ndër ta ishin shumë miq të mi të vjetër, ishin vëllezërit dhe motrat dhe, para së gjithash, nëna ime plakë që qëndronte në shtëpi dhe gëzohej që arriti ta përjetonte këtë ngjarje të madhe.

Menjëherë mendja më shkoi te babai, ndjeva një mungesë të madhe për të, se nuk ishte më në jetë që të mund t’i tregoja se kam fituar Çmimin Nobel. E dija se askush nuk do të gëzohej më shumë se ai. Asnjëherë nuk kam takuar dikë që të ketë treguar një dashuri dhe kujdes më të madh për letërsinë dhe shkrimtarët, dhe nëse ai tani do ta dinte se Akademia Suedeze më ka ndarë këtë çmim të lartë letrar… Ndjeva një dhembje të madhe që nuk mund t’i tregoja për këtë gjë.

Secili që udhëton me tren sonte në errësirë, e di që ndonjë­herë vagonët për disa çaste lëvizin përpara çuditërisht qetë dhe pa lëkundje. Zhurma dhe tingujt ndalen dhe buçima e vazhdueshme shndërrohet në një muzikë të qetë e të njëtraj­tshme. Duket sikur vagonët e trenit nuk po shkonin mbi shina dhe binarë, por lëviznin lart drejt qiellit. Mu kur dëshiroja ta takoja babanë, ndodhi diçka në atë rrugëtim.

Treni filloi të nxitonte përpara qetë dhe lehtë, sa mendova se ishte e pamundur të ishte akoma në tokë. Dhe mendimet e mia filluan të loznin: “Imagjino sikur të udhëtoja tani për te babai im në qiell. Kam dëgjuar se kjo u ka ndodhur të tjerëve. Pse të mos më ndodhte edhe mua?”

Treni vazhdonte përpara pa zhurmë, në heshtje. Ndonëse shkonte me shpejtësi, kishte edhe shumë për të kaluar derisa ta arrinte cakun. Në këtë kohë dhe udhëtim, mendimet e mia arritën atje para tij.

“Tani kur do ta takoj babanë”, mendoja unë, ai me siguri rri ulur në një karrige luhatëse në një verandë dhe ka para një kopsht të ndritshëm, plot me lule dhe zogj dhe, natyrisht, është duke lexuar përrallën e Fritjofsit. Dhe kur të më shohë mua, babi e lë librin mënjanë, i vë syzet në ballë, ngrihet dhe vjen drejt meje. Pastaj më thotë “mirëdita” dhe “mirë se erdhe” dhe “Athu a je ti duke kaluar këndej” dhe “Si je çupëza ime”, krejt sikur atëherë.

Vetëm kur u drejtua mirë në ulësen që luhatej, ai filloi të mendonte pse e kam kërkuar. “Mos ka ndodhur gjë andej nga shtëpia”, më pyeti papritmas.

“Jo, baba, gjithçka është në rregull”. Dhe unë përpiqem t’ia jap lajmin, por pastaj dëshiroj qe të pres pakëz, prandaj i bie paksa tërthorazi. “Kam ardhur këtu vetëm të të lus për një këshillë të mirë”, i them dhe dukem e brengosur. “Kam hyrë në borxhe të shumta”.

“Kam frikë se nuk do të marrësh shumë ndihmë nga unë për këtë gjë”, thotë babai. “Mund të thuhet për këtë vend sikur për kopshtet e Värmlandit, që këtu ka gjithçka përveç parave”.

“Por nuk jam zhytur në borxhe për para” i them unë.

“Edhe më keq, pra”, thotë babai. “M’i trego të gjitha tani, prej fillimit, çupëza ime!”

“S’ka gjë që s’më ndihmon”, them unë, “ngaqë është faji yt që nga fillimi. A të kujtohet se si uleshe zakonisht pranë klaviaturës dhe këndoje për ne fëmijët Bellmanin, dhe a të kujtohet kur na nxisje t’i lexoje Tegnérin, Runebergun dhe Andersenin disa herë gjatë një dimri? Në këtë mënyrë unë u futa në borxhin e parë. Baba, si do të mund t’ i shpërblej ata, se ata më mësuan që t’i doja përrallat dhe heroizmat, atdheun dhe jetën njerëzore me tërë madhështinë e tyre, por edhe me tërë dobësitë e tyre”.

Kur e them këtë, babai drejtohet në karrigen lëkundëse dhe i qeshin sytë. “Gëzohem që të kam futur në këtë borxh” thotë ai.

“Po, ke të drejtë, baba” them unë, “por duhet ta dish se kjo nuk merr fund me kaq. Duhet ta dish se unë kam një mori borxhesh të tilla. Mos i harro të gjithë ata kavalierët e varfër dhe të pastrehë që zakonisht silleshin rreth Värmlandit, në kohën e rinisë tënde, që luanin dhe këndonin balada. Atyre u kam borxh për aventurat e çmendura, qeshjet dhe shakatë e pafundme. Dhe, mos harro, të gjithë ata të moshuar që qëndronin nëpër kasollet e tyre të vogla e gri në cep të pyllit dhe kanë treguar rrëfime për divat dhe ograt! Janë, pra, ata që më kanë mësuar sesi poezia mund të shtrihet përtej bjeshkëve të thepisura dhe pyjeve të errëta. Po ashtu, baba, mos harro gjithë ata murgj dhe murgesha të zbehtë dhe syhapur që kanë qëndruar nëpër manastire të errëta dhe kanë parë hije dhe dëgjuar zëra. Atyre u kam borxh për huazimet e thesarit të madh të legjendave që ata kanë mbledhur. Mos harro as bujqit që shkuan në Jerusalem! A nuk u kam shumë borxh atyre ngaqë më kanë dhënë një guxim të madh për të shkruar? Dhe, baba, nuk janë vetëm njerëzit të cilëve u kam borxh, por edhe krejt shtazëve në tokë dhe zogjve në qiell, luleve dhe pemëve, të gjithë së bashku më kanë rrëfyer fshehtësitë e tyre”.

 Babai vetëm pohon me kokë dhe buzëqesh derisa i them këto dhe nuk duket fare i brengosur. “Duhet ta kuptosh, baba, se ky është një borxh i madh” them unë dhe bëhem gjithnjë e më serioze.

“Në tokë askush nuk di se si të lahet borxhi. Prandaj mendova se ju këtu në qiell e dini këtë”.

“Po, me siguri edhe e dimë këtë”, thotë babai dhe e merr këtë me lehtësi ashtu si e kishte zakon. “Do të të japim këshilla për brengat tua. Mos ki frikë, fëmijë!”

 “Po, por, baba, kjo nuk është e mjaftueshme” i them. “Unë u kam borxh të gjithëve, atyre që kanë lartësuar gjuhën, që kanë farkuar dhe formësuar veglat e mira dhe më kanë mësuar t’i përdor ato. A nuk u kam borxh të gjithë atyre që kanë shkruar dhe krijuar para meje, që e kanë shndërruar në art të bukur rrëfimin e fateve njerëzore, që më kanë frymëzuar dhe m’i kanë çelur rrugët? A nuk u kam borxh të shumëfishtë atyre që në rininë e hershme më kanë përvetësuar me poezinë: norvegjezët dhe rusët e mëdhenj?

A nuk jam në borxhe, ngaqë pata mundësinë të jetoja në një kohë, kur letërsia e vendit tim kishte arritur lulëzimin më të madh, se pata mundësinë ta njoh princin prej mermeri të Rydbergut, botën poetike të Snoilskyt, arkipelagun e Strin­dbergut, jetën e rëndomtë të Geijerstamit, artin e Tor Hedber­gsit, njerëzit bashkëkohorë të Anne-Charlotte Edgrenit dhe Ernst Ahlgrenit, poezitë e Helena Nyblomit, lindjen e Heiden­stamit, historitë e gjalla të Sophie Elkanit, këngët e Värm­landit të Frödingut, legjendat e Levertinit, pikturat e lëndi­nave të Hallström Thanatosit dhe Karlfeldit si dhe shumë krijime të tjera të reja, frymëzuese për garim dhe të frytshme për ëndërrim?”

“Po, po”, thotë babai. “Ti ke të drejtë, ti ke shumë borxhe, por mund t’u bësh ballë”.

“Nuk besoj se ti e kupton vërtetë se sa të vështirë e kam, baba”, them unë. “Ti mbase ke harruar që u kam borxh edhe lexuesve të mi. I gjithë falënderimi im u shkon atyre: që nga mbreti i moshuar dhe djali i tij i ri, që më dërguan të bëja një praktikë në jug, deri te nxënësit e vegjël në shkollë, që gërvishtën bashkë një faleminderit për Nils Holgersson. Çfarë do të bëhej me mua nëse ata do të zgjidhnin të mos i lexonin librat e mi? Nuk duhet t’i harrosh as ata që kanë shkruar për mua. Kujto këtu kritikun e madh danez që më solli shumë miq në tërë vendin e tij vetëm me disa fjalë. Dhe mendo për atë që tani ka vdekur dhe që ka përzier pijen e tij artistike me dhembjen dhe gëzimin, më shumë se që kemi bërë të gjithë ne këtu para kohës së tij!

Mendo për të gjithë ata që në shtet të huaj kanë punuar për mua. U kam borxh, baba, edhe atyre që më kanë lavdëruar, edhe atyre që më kanë kritikuar”.

 “Po, po”, thotë babai, që nuk duket tani i qetë. Ai fillon ta kuptojë se nuk do të jetë e lehtë për të më këshilluar.

“Mos harro të gjithë ata që më kanë ndihmuar, baba!” them unë. “Mos harro miken time besnike Esselde që tenton­te të hapte një rrugë për mua kur askush tjetër nuk guxonte të besonte në mua! Mos e harro atë. Numrin e madh të atyre që kanë ndihmuar krijimtarinë time dhe mbrojtur punën time! Dhe mos harro mikun tim të mirë dhe bashkudhëtarin i cili jo vetëm më solli në jug duke më treguar mrekullinë e gjithë artit, por edhe ma bëri tërë jetën më të ndritur dhe më të pasur! Dhe mos harro gjithë dashurinë që më ka përcjellë, tërë atë nderim dhe mirënjohje! Nuk mund ta imagjinosh që mua më duhet të vija te ti për të mësuar sesi t’i paguaj këto bor­xhe?”

Babai ka ulur kokën dhe nuk duket aq me shpresë si në fillim. “Sigurisht që mendoj se nuk do të jetë aq e lehtë për të të ndihmuar, vajza ime”, thotë ai. “Por, tani, mbase, këtu mori fund!”

“Jo, deri këtu edhe kam mundur ta shtyj vetë”, them unë. “Tani vjen më e vështira. Për këtë arsye unë isha e shtrënguar të vija te ti që të më japësh një këshillë”.

“Nuk mund ta marrë me mend që ti je futur në borxhe edhe më të mëdha”, thotë babai.

“Lamtumirë!” i them unë dhe i tregoj për “atë”.

“Kurrë nuk mund ta besoj, se Akademia Suedeze…” thotë babai. Por në atë çast më shikon dhe atëherë e kupton se “kjo” është e vërtetë. Dhe fillon t’i drejtohet çdo rrudhë e fytyrës së tij të mplakur dhe sytë i përloten.

“Çfarë t’u them atyre që kanë marrë këtë vendim dhe atyre që më kanë nominuar për këtë çmim?” them unë.

“Se, mos harro për këtë, baba: nuk janë vetëm nderimi dhe paratë që ata më kanë dhënë. Ata kanë pasur një besim të mirë në mua, sa kanë guxuar të më shpërblejnë para gjithë botës. Si do të mund ta shlyej këtë borxh falënderimi?”

Babai qëndron duke menduar paksa, pastaj i fshin lotët e gëzimit nga sytë, dridhet dhe e godet me grusht kornizën e karriges. “Nuk dua të qëndroj më këtu duke menduar për gjëra për të cilat askush, as në qiell e as në tokë, nuk mund të japë përgjigje”, thotë ai. “Nëse ti e ke fituar Çmimin Nobel, unë nuk shqetësohem më për asgjë. Dua vetëm të gëzohem”.

Lartmadhëri!

Zotërinj dhe zonja!

Meqë nuk mora përgjigje më të mira në pyetjet e mia, atëherë nuk më mbetet tjetër veçse t’ju lus ta ngre me ju këtu një dolli falënderimi që unë kam nderin ta propozoj për Akademinë Suedeze.

10 dhjetor 1909

Shënime për autoren

LAGERLÖF, Selma

Selma Ottilia Lovisa Lagerlöf (Östra Ämtervik, 20 nëntor 1858 – Mårbacka, 16 mars 1940), shkrimtare suedeze, fituese e Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1909, njëherësh gruaja e parë që fiton këtë çmim. Në vitin 1914 bëhet anëtarja e parë e Akademisë Suedeze, trupë e cila e jep shpërblimin e përmen­dur. Motivet qendrore dhe personazhet e veprave të saj janë pasqyrim i Suedisë. Po ashtu, ajo është inspiruar edhe nga jeta në Italinë jugore, nga Palestina, socializmi modern, legjendat e vjetra të veriut etj.(Përktheu nga suedishtja: Qerim Raqi. Marrë nga revista “Akademia”, nr. 8)