Fituesi i Botërorit me Italinë e paralajmëron Bayernin për Atalantën: Mos e merrni lehtë - Gazeta Express
string(87) "fituesi-i-boterorit-me-italine-e-paralajmeron-bayernin-per-atalanten-mos-e-merrni-lehte"

Futboll

Gazeta Express

09/03/2026 17:40

Fituesi i Botërorit me Italinë e paralajmëron Bayernin për Atalantën: Mos e merrni lehtë

Futboll

Gazeta Express

09/03/2026 17:40

Fituesi i Kupës së Botës me Italinë dhe ish-sulmuesi i Bayern Munichut, Luca Toni, mendon se bavarezët “nuk duhet ta nënvlerësojnë” Atalantën në fazën e 1/8-es së Ligës së Kampionëve: “Nëse e marrin lehtë, është rrezik”.

Atalanta dhe Bayern Munichu përballen në këtë fazë me ndeshjen e parë që luhet në Bergamo më 10 mars.

Bayern konsiderohet ndër favoritët për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë sezon dhe shihet si skuadra më e mundshme për të kaluar në çerekfinale, ku do të përballej me fituesin e çiftit mes Manchester Cityt dhe Real Madridit.

Megjithatë, Atalanta ka befasuar disa nga klubet e mëdha europiane këtë sezon, sidomos në Bergamo, ku Chelsea dhe Borussia Dortmundi kanë humbur në “New Balance Arena” në fazat e mëparshme të Ligës së Kampionëve.

“Në letër, Bayerni është shumë më i fortë se Atalanta. ‘La Dea’ ka lojtarë të mirë dhe luan futboll të bukur me Raffaele Palladino në stol, veçanërisht në Ligën e Kampionëve,” tha Toni për “Prime Video Italia”.

“Ai ka ndryshuar mentalitetin e skuadrës. Kam dëgjuar se Ivan Jurić nuk kishte marrëdhënie të mira me ekipin, por Palladino ka rikrijuar një atmosferë të mirë brenda skuadrës, ashtu siç kishte ndodhur edhe me Gian Piero Gasperini”, shtoi ai.

Palladino e zëvendësoi Juricin në fillim të nëntorit dhe që atëherë Atalanta ka fituar 15 nga 26 ndeshje.

Bayern do të udhëtojë drejt Bergamos pa portierin e dëmtuar Manuel Neuer, ndërsa Harry Kane pritet të jetë i gatshëm pasi mungoi në ndeshjen e së premtes në Bundesliga kundër Borussia Mönchengladbachut.

“Gjithçka është në duart e tyre. Nëse janë në ditën e tyre, janë qartë favoritë. Bayern ka lojtarë fantastikë,” vazhdoi Toni.

“Megjithatë, ata nuk duhet ta nënvlerësojnë Atalantën, e cila ka vetëbesimin dhe krenarinë që ka arritur në këtë fazë. Për Atalantën do të jetë ndeshja e jetës dhe është rrezik nëse Bayern e merr lehtë”, vazhdoi ai.

Atalanta shpreson që Édersoni të jetë i gatshëm për të martën pasi ka munguar në pesë ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi.

“Ederson është një nga lojtarët më ‘europianë’, një nga më të mirët,” përfundoi Toni.

“Do të shohim se kush do të luajë në sulm, por Atalanta karakterizohet nga fryma e ekipit, sepse të gjithë ndihmojnë”, e mbylli ai.

Toni kaloi dy sezone te Bayern Munichu, duke shënuar 58 gola në 89 ndeshje.

Gjatë karrierës së tij ai e fitoi Bundesligën në sezonin 2007-08 dhe DFB-Pokal në të njëjtin vit.

Me Italinë, ai e fitoi Botërorin e vitit 2006.

Ai gjithashtu ishte dy herë golashënuesi më i mirë i Serie A: në sezonin 2005-06 me 31 gola dhe në 2014-15 me 22 gola, po aq sa Mauro Icardi./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement