Real Madrid regjistroi fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit të ri Xabi Alonso, duke mposhtur Pachuca-n me rezultat 3-1 në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në Kupën e Botës për Klube. Edhe pse “Los Blancos” luajtën me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të ndeshjes pas përjashtimit të Raul Asencios, loja e shpejtë dhe lëvizja në repartin ofensiv treguan shenjat e para të filozofisë së re të Alonsos.
Por mungesa më e spikatur në këtë fitore ishte ajo e Rodrygo Goes, i cili qëndroi në stol gjatë gjithë ndeshjes dhe nuk u aktivizua fare, madje as nuk u ngroh për një moment. Kjo ndodhi pavarësisht se braziliani kishte qenë titullar në ndeshjen e parë kundër Al Hilal, ku kontribuoi me një asist për golin e vetëm të skuadrës.
Vendimi i Alonsos për të mos i dhënë minuta Rodrygos ka ngritur pikëpyetje, sidomos kur në vend të tij u aktivizua Victor Munoz, një zgjedhje që gjithashtu ndodhi edhe në “El Clasico”. Trajneri spanjoll e ka justifikuar me ngarkesën taktike dhe përjashtimin me karton të kuq, por mungesa e brazilianit në plane, veçanërisht në një ndeshje pa Kylian Mbappé, është vënë në pah.
Ndërkohë, e ardhmja e Rodrygos në Madrid mbetet e pasigurt, pasi interesimi nga Premier League po rritet. Arsenal po e ndjek me vëmendje brazilianin, sidomos pas humbjes së garës për Nico Williams, që pritet t’i bashkohet Barcelonës. Rodrygo është një nga alternativat serioze për “Topçinjtë”, megjithëse ende nuk ka një ofertë zyrtare.
Sipas Cadena SER, edhe Manchester City është në garë, me Pep Guardiolën që e ka ndjekur me admirim lojtarin. Rodrygo është në dijeni të interesimit të klubeve angleze dhe është i hapur për një transferim, nëse situata e tij te Real Madrid nuk përmirësohet. Klubi madrilen ka caktuar një çmim prej 90 milionë eurosh për të lënë të lirë sulmuesin.
Në anën tjetër, Marca dhe Cadena SER raportojnë se nëse Reali arrin të shesë Rodrygon, fondet do të përdoren për të blerë një mesfushor organizator, që është prioritet për Alonson. Deri tani, opsionet e identifikuara janë përtej mundësive financiare të klubit, por një shitje e madhe mund të ndryshojë gjithçka.
Rodrygo e mbylli sezonin e kaluar jashtë fushës, me arsyetimin zyrtar se kishte grip, ndonëse klubi nuk publikoi asnjë raport mjekësor. Alonso u shpreh se “e di çfarë ndodhi me Rodrygon” para nisjes së Kupës së Botës për Klube, por aktualisht nuk raportohet asnjë problem shëndetësor.
Megjithëse fillimisht ishte optimist për epokën Alonso, mospërfshirja e tij në ndeshjen e dytë mund të përshpejtojë vendimin për një largim gjatë kësaj vere. Nëse do të ndodhë, ai pritet të jetë një nga transferimet më të bujshme të merkatos.