Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka dalë në mbrojtje deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli për siç thotë ajo “sulme ndaj saj”.
Fitore Pacolli u përball me protesta nga qytetarët duke kërkuar përgjegjësi për ndarjen e subvencioneve për familjarët e saj, përfshirë edhe burri i saj u raportua se mori 52 mijë përmes një OJQ-je.
E sipas Haxhiut, Pacolli po sulmohet sepse prej dy vitesh “denoncon interesa të ngushta”.
“Sulmet ndaj deputetes Fitore Pacolli nuk janë asgjë e re. Qysh prej dy vitesh, prej momentit që ajo ka guxuar të denoncojë interesa të ngushta dhe të padrejta, ajo është përballur me sulme të pandërprera. Edhe sot, përballë akuzave të pabaza dhe sulmeve brutale, ajo qëndron e fortë për diçka për të cilën nuk ka asnjë përgjegjësi, një fakt i thjeshtë që mund të provohet lehtësisht, dhe që e dinë mirë edhe ata që përhapin shpifje. Ata që njohin deputeten Fitore Pacolli e dinë mirë përkushtim e saj. Ajo nuk është thjesht një politikane, është një grua që lufton çdo ditë me guxim dhe ndershmëri, për t’u bërë zëri i atyre që shpesh nuk dëgjohen dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”.
“Sulmet e vazhdueshme ndaj saj janë të papranueshme dhe janë përpjekje të qarta për ta ndaluar dhe diskredituar përmes gënjeshtrave pa asnjë bazë. Por as deputetja Pacolli dhe as ne nuk do të heshtim. Nuk do të lejojmë që padrejtësia të fitojë mbi të vërtetën. Bëj thirrje për respekt, drejtësi dhe përgjegjësi. Të vendosim një fund për këtë valë shpifjesh dhe të mbrojmë atë që është e drejtë dhe e vërtetë sepse vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe demokratike”, ka thënë Haxhiu. /Gazeta Express