Manchester Unitedi ka marrë një fitore të madhe, në rrugëtimin për kualifikim në Ligën e Kampionëve, duke fituar ndaj kundërshtarit kryesor.
“Djajtë e Kuq”, të udhëhequr nga Michael Carrick fituan 3-1 ndaj Aston Villës në “Old Trafford”, me ndeshjen e luajtur në kuadër të xhiros së 30-të në Premierligë.
Pas një pjese të parë pa gola dhe me pak raste të mira shënimi, pjesa e dytë prodhoi katër gola.
Fillimisht, Casemiro shënoi pas asistimit nga Bruno Fernandes nga këndorja.
Braziliani shnëoi në minutën e 53-të, teksa 11 minuta më vonë, Aston Villa barazoi përmes Ross Barkleyt.
Por, Unitedi u rikthye në epërsi në minutën e 71-të, kur shënoi braziliani tjetër, Matheus Cunha – prapë asistoi Bruno.
Dhjetë minuta më vonë – vetëm gjashtë minuta pas hyrjes si zëvendësues – Benjamin Sesko ia dha goditjen e fundit Aston Villës, duke shënuar për 3-1 dhe epilogun e takimit.
Me këtë fitore, Manchester Unitedi e përforcon vendin e tretë, duke i ikuar Villës në tri pikë.
Unitedi tashmë ka 54 pikë, kundrejt 51 të Aston Villës.
Tabelës i prin Arsenali me 70 pikë, teksa i dyti është Manchester City me 61 pikë./GazetaExpress/