Për kryeideologun e pecizmit, Albin K., është krejtësisht normale që nga një pozicion shtetëror kur s’e di a je kryeministër a deputet, shantazhon publikisht qytetarët. Ju thua fare natyrshëm që s’ju japë para kryetarëve që nuk dinë të qeverisin, e që sipas partisë peciste VV, janë të gjithë ata që s’janë pecistë. Një pecist, paranë publike e buxhetin e shtetit i sheh si para që ia ka dërguar gruaja nga Norvegjia në Money Gram a Western Union.
Shkodran Hoti
Të gjithë fituan diçka. Secili festoi diku. Asnjëri s’u nda krejt i kënaqur. Askush s’u pikëllua tërësisht.
Ky është një epilog thuajse i zakonshëm i zgjedhjeve lokale. Kjo pasi që fituesi i tyre nuk është krejt e lehtë të konstatohet, marrë parasysh pluralizmin politik që ende e mirëmbajmë dhe specifikat që ka ky proces elektoral.
Një parti mund të fitojë 10 komuna – më së shumti – si Lista Srpska, por askush s’e quan fitues. PDK mund të jetë e para me votën partiake dhe numrin e asambleistëve, por disa zëra e quajnë humbëse sepse s’do t’i ketë me kryetarët në Mitrovicë të Jugut dhe në Drenas. LDK e fiton Prishtinën që llogaritet plusi më i madh në zgjedhje, por ia zbehin triumfin sepse ka humbur një bastion si Fushë Kosova dhe një komunë të vogël si Obiliqi. E, madje edhe VV, që fiton tre komuna më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021, prej dikujt nuk shihet aq fituese sepse ka shënuar rezultat të dobët në Prishtinë dhe ka humbur në qytete tjera të mëdha si Prizreni apo Peja.
U tha si u tha, realitetin s’e ndryshojmë, prandaj secili japim interpretimet tona dhe një të tillë e kam dhe unë.
Zgjedhjet lokale të vitit 2025 i fitoi pecizmi. Dhe, këtu s’po flas thjesht për fitoren e kandidatit të partive VV dhe Guxo në Mitrovicën e Jugut. Pecizmi që triumfoi me 9 nëntor, është më shumë se një garë elektorale, më shumë se kush del i pari me votat në kuti e më tepër se kush sa komuna i mori.
Pecizmi është ideologjia e re e Albin K.. Ai e ka përqafuar atë më fort sesa Faton Pecin kur arriti në Mitrovicë për ta festuar fitoren e tij. Pecizmi është botëkuptimi i tashëm i Albin Kurtit e udhërrëfyesi i tij i të bërit politikë tash e tutje.
Pecizmi është ideologjia që s’ka rëndësi kush e përfaqëson, por se mjafton që jep fryte. Për një pecist si Albin K., më e vlefshme është fitorja e Faton Pecit në Mitrovicë të Jugut, e Valon Prebrezës në Fushë Kosovë dhe e Halil Thaçit në Obiliq sesa ajo e Hajrulla Çekut në Prishtinë, Artan Abrashit në Prizren apo e Ardian Golës në Gjakovë. Ani pse tre të parët janë gjithë kohës të përfolur për afera korruptive e nepotizëm, kurse tre të dytët profile shumë të mira si politikanë, me integritet e kredibilitet të lartë.
Për kryeideologun e pecizmit, Albin K., është krejtësisht normale që nga një pozicion shtetëror kur s’e di a je kryeministër a deputet, shantazhon publikisht qytetarët. Ju thua fare natyrshëm që s’ju japë para kryetarëve që nuk dinë të qeverisin, e që sipas partisë peciste VV, janë të gjithë ata që s’janë pecistë. Një pecist, paranë publike e buxhetin e shtetit i sheh si para që ia ka dërguar gruaja nga Norvegjia në Money Gram a Western Union.
Kryepecisti Albin K. e normalizon praktikën që tre ditë para zgjedhjeve t’iu dërgojë mesazh studentëve ku i njofton se do ta marrin shtesën prej 100 eurove. Prapë, thua se këto para i ka dhuratë nga Martin Berishaj, parat e tregtimit të rrymës.
Pecizmi parasheh që prijësi i kësaj “ideologjie” të bëjë beteja me secilin kandidat për kryetar komune që s’i përket strofullit pecist. Njërit i kërkon të gjejë punë të re pas zgjedhjeve, tjetrin e quan “gomë rezervë” e një tjetër e pagëzon “muha-sherr”. S’kursen asnjë fjalë ndaj tyre.
Lideri pecist pas dhjetëra vizitave gjatë fushatës aty ku i garonte Peci, pas shumë takimeve të orëve të vona në pompa të benzinës nëpër fshatra, e sheh të arsyeshme që edhe ditën e zgjedhjeve t’i shkojë në konak Pecit e të nxisë tensione. Atje shkon edhe për të festuar me plisa në kokë e goma në duar, duke u puthur e përqafuar ngrohtësisht me Pecin. E çon Pecin lart e më lart. Gjithçka me Pecin, çdo gjë për Pecin. Një dhe i vetmi: Lideri i Pecit.
Dhe kështu fitoi pecizmi. La gjithçka nën hije. Edhe fitoren në Podujevë, në Kamenicë dhe në Shtime gjatë raundit të parë. Edhe triumfin e madh gjatë balotazhit në bastionin e LDK-së në Fushë Kosovë, fitoren e thellë në Gjilan e atë surprizuese në Obiliq. 6 komuna s’ishin më të rëndësishme sesa ajo ku zuri rrënjë pecizmi. U zbeh edhe fakti që u shtuan tre komuna krahasuar me vitin 2021.
Ky ishte epilogu i këtyre zgjedhjeve. Kjo ishte fitorja e këtij procesi. Fitoi pecizmi. Urime pecistëve!