Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani po kalon një sezon shpërthyes në Bundesligë dhe forma e tij e mirë nuk ka kaluar pa u vënë re nga klubet e mëdha evropiane.
Interesimi për futbollistin e Hoffenheimit është rritur ndjeshëm dhe, sipas raportimeve, dy klubet e mëdha të Premierligës, Chelsea dhe Tottenhami po e monitorojnë nga afër situatën e tij.
Asllani është shndërruar në një nga zbulimet e këtij sezoni në kampionatin gjerman, shkruan “Goal”, përcjell “Gazeta Express”.
Performancat e tij me gola dhe asistime kanë bërë që shumë klube të mëdha të fillojnë të interesohen për shërbimet e tij, ndërsa ai po e konfirmon potencialin që e kishte treguar edhe gjatë periudhës së huazimit te SV Elversberg.
Në fakt, sulmuesi 23-vjeçar kishte shkëlqyer edhe në atë periudhë, duke regjistruar një numër të lartë kontributesh në gola dhe duke e bërë të qartë se ishte gati për një hap tjetër në karrierë.
Interesimi për Asllanin nuk kufizohet vetëm në Angli. Më herët, edhe gjigantë si Bayern Munich dhe Barcelona kanë qenë të lidhur me emrin e tij, duke e konsideruar si një opsion për të ardhmen në repartin ofanziv.
Rritja e tij e shpejtë në Bundesligë ka bërë që skautët e shumë klubeve ta ndjekin vazhdimisht, pasi ai shihet si një sulmues modern që di të lëvizë mirë në zonë dhe të krijojë raste për skuadrën.
Nëse interesimi konkretizohet në ofertë, Premierliga mund të jetë destinacioni i radhës për Asllanin.
Tottenham dhe Chelsea janë në kërkim të përforcimeve në sulm dhe profili i tij konsiderohet i përshtatshëm për stilin e lojës në Angli.
Për momentin nuk ka ende një marrëveshje apo negociata të avancuara, por gjithçka tregon se vera e ardhshme mund të sjellë zhvillime të rëndësishme rreth të ardhmes së futbollistit kosovar.
Asllani i ka realizuar 8 gola dhe i ka bërë 7 asistime deri tash këtë sezon, ndërsa vlera e tij në treg është 30 milionë euro. /Gazeta Express