Aleati i Putinit dhe ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka reaguar mbi marrëveshjen e burimeve natyrore.
“Trump më në fund e ka detyruar regjimin e Kievit të paguajë për ndihmën amerikane me minerale”, tha ai.
“Tani furnizimet ushtarake do të duhet të paguhen me pasurinë kombëtare të një vendi në zhdukje. Dhe Senati i SHBA-së, i udhëhequr nga republikanët, po përgatitet të vendosë një raund tjetër ‘sanksionesh shkatërruese’ kundër nesh. Le të shohim se si do të përgjigjet administrata e re.Vlerësimet e Trump kanë rënë dhe ‘shteti i thellë’ po bën rezistencë të ashpër.”
Firmosja e marrëveshjes
Pas një beteje jo të lehtë negociuese, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë rënë dakord të krijojnë një fond rindërtimi që do t’i japë gjithashtu Shteteve të Bashkuara qasje në burimet natyrore ukrainase. Të dyja palët e konfirmuan marrëveshjen në Uashington.
Ministri amerikan i Financave, Scott Bessent dhe zëvendëskryeministrja ukrainase Julia Svyrydenko nënshkruan marrëveshjen në Uashington. Teksti i marrëveshjes nuk u publikua fillimisht. Megjithatë parashikohet një fond investimi i planifikuar për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve natyrore të Ukrainës, i cili synon të gjenerojë fonde për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.
SHBA sigurojnë me këtë qasje të privilegjuar në burimet e Ukrainës, duke përfshirë mineralet e rralla, të cilat janë të rëndësishme për teknologjinë e avancuar sot dhe të rëndësishme nga ana strategjike. Bessent nuk ishte shumë specifik për përmbajtjen e marrëveshjes, por u shpreh i kënaqur.
Fond i barabartë me SHBA
Zëvendëskryeministrja ukrainase Svyrydenko dha më shumë detaje. Me fondin e ardhshëm i rindërtimit do të investohet në projekte për nxjerrjen e mineraleve, naftës dhe gazit, si dhe në infrastrukturën përkatëse, shpjegoi ajo. “Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të përcaktojnë bashkërisht projektet e investimeve që do të financohen”, shkroi ajo në Facebook.
Ukraina nuk duhet të paguajë ndihmat ushtarak amerikane. Një pikë mosmarrëveshjeje në negociata kishte qenë, nëse Ukraina do të duhej të paguante ndihmën ushtarake dhe financiare të SHBA-së nëpërmjet shfrytëzimit të lëndëve të para të saj. Sipas Swyrydenkos nuk ka për të qenë kështu..
Investimet mund të bëhen vetëm në Ukrainë. Në dhjetë vitet e para, fondi nuk do të shpërndajë fitime dhe të ardhura, por do t’i riinvestojë ato. Për të adresuar shqetësimet në Ukrainë për një shitje të mundshme të burimeve, Swyrydenko theksoi se fondi do të operohej në baza të barabarta me Shtetet e Bashkuara. Ukraina nuk do ta ofrojë pjesën e saj në fond nga projektet ekzistuese të lëndëve të para, por do të japë 50 për qind të të ardhurave nga licencat e ardhshme të prodhimit ose shitjet e lëndëve të para.
Rritja masive e presionit nga Trump
Marrëveshja u përfundua në një fazë vendimtare të negociatave për një marrëveshje paqeje: Presidenti i SHBA, Donald Trump kërkon fund të shpejtë të luftës në Ukrainë dhe së fundmi ka shprehur zhgënjimin për mungesën e progresit.
Më parë republikani Trump ushtroi presion masiv mbi Ukrainën lidhur me çështjen e burimeve natyrore. Ai i konsideron fitimet e mundshme nga nxjerrja e burimeve si kompensim për mbështetjen financiare dhe ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
Pas marrëveshjes së arritur ndërkohë, Trump theksoi se SHBA do të rimarrë shumë më tepër sesa ka investuar deri më tani. Ai përsëriti qëndrimin e tij se një prani ekonomike e SHBA në Ukrainë përfaqëson gjithashtu një garanci sigurie për vendin.