Finlanda, Suedia e Norvegjia do të vrasin ujq, ka kundërshtime - Gazeta Express
string(60) "finlanda-suedia-e-norvegjia-do-te-vrasin-ujq-ka-kundershtime"

Finlanda, Suedia e Norvegjia do të vrasin ujq, ka kundërshtime

Lajme

Gazeta Express

15/01/2022 12:06

Finlanda do t’u bashkohet Suedisë e Norvegjisë për vrasjen e ujqve këtë dimër për ta kontrolluar numrin e tyre. Grupet për ruajtjen e kafshëve i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të marrë masa kundër vrasjes së këtyre kafshëve.

Gjahtarët në Suedi tashmë e kanë vrarë shumicën e cakut vjetor prej 27 ujqve, ndërsa Finlanda pritet që ta autorizojë vrasjen e 20 ujqve në rastin e parë të “vrasjes për menaxhimin e popullsisë” për shtatë vjet, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Norvegjia do të vrasë rreth 60 për qind të ujqve të saj këtë dimër – 51 kafshë – për të mbajtur më së shumti tri çifte për shtim në vend. Mbrojtësit e kafshëve i akuzojnë shtetet skandinave për krijimin e mjedisit më armiqësor për ujqit në Evropën Perëndimore dhe për shkeljen e ligjeve të BE-së që i mbrojnë këto kafshë.

Ujqit janë shtuar viteve të fundit, por mbeten të rrezikuar në shumë shtete. “Është një gjendje e tmerrshme”, tha Siri Martinsen, shefe e grupit “Noah” për të drejtat e kafshëve, që po e sfidon Norvegjinë në gjykata për gjahun ndaj ujqve.

“Menaxhimi i ujqve në Norvegji është jashtë kontrollit dhe ata thjesht po i gjuajnë ujqit, sepse disa njerëzve nuk u pëlqejnë. Është mizore që një lloj të mbahet në nivel të rrezikur në masë kritike”, tha ajo.

Në Norvegji, 5 për qind e territorit të vendit është e klasifikuar si zonë për mbrojtjen e ujqve, ku mbrojtja e tyre është prioritet. Pavarësisht kësaj, 25 ujq do të vriten brenda zonës së mbrojtjes këtë dimër, nëse veprimet në gjykata nga tri organizata nuk rezultojnë të suksesshme.