Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po humb mbështetjen e brendshme dhe kartat që për vite ka përdorur për të ruajtur pushtetin nuk po funksionojnë më. Kështu shkruan gazeta prestigjioze Financial Times në një editorial kritik ndaj zhvillimeve në Serbi dhe qëndrimit pasiv të Perëndimit ndaj rrëshqitjes së vendit drejt autoritarizmit.
Në këtë tekst, mediumi britanik ka përmendur edhe Kosovën dhe serbët që jetojnë këtu, si vendin të cilin Vuçiq ka shfrytëzuar maksimalisht për të siguruar mbështetje për të qëndruar sa më shumë në pushtet, por që gjërat tashmë kanë ndryshuar.
“Gjatë viteve, Vuçiq – një nacionalist ekstrem në rininë e tij – ka shfrytëzuar ndjenjat pansllave dhe pretendimet irredentiste në mesin e pakicave serbe në Bosnje dhe Kosovë për të siguruar mbështetje. Por duket se kjo kartë po e humb fuqinë”, shkruan FT, duke vënë theksin te dobësimi i diskursit nacionalist që për vite ka shërbyer si armë politike për presidentin serb.
Sipas Financial Times, kohëve të fundit Serbia po përjeton tensione të thella të brendshme. Rritja e pakënaqësisë popullore dhe protestat e vazhdueshme në rrugët e Beogradit dhe qyteteve të tjera tregojnë se regjimi i Vuçiqit po përballet me një krizë legjitimiteti.
“Pas afro një dekade në pushtet, autokratët veteranë përballen me një udhëkryq: të intensifikojnë shtypjen, të thellojnë kapjen klienteliste të shtetit dhe të shtypin mbetjet e medias së pavarur, apo t’u përgjigjen thirrjeve për reforma. Vuçiq tani ndodhet përballë këtij momenti vendimtar,” thekson analiza.
Qasja e Vuçiqit ndaj pushtetit në këtë analizë, është cilësuar si një “balancim i kujdesshëm” mes lindjes dhe perëndimit. Ai ka ruajtur lidhje të afërta me Moskën, por pa e tepruar sa të zemërojë Brukselin dhe Uashingtonin. Në të njëjtën kohë, ka tërhequr miliarda investime nga Kina, veçanërisht përmes projekteve infrastrukturore si ai që përfshiu stacionin hekurudhor në Novi Sad – i cili u shemb në nëntor duke shkaktuar 16 viktima.
Për opozitën dhe kritikët, kjo tragjedi është pasojë e qeverisjes së korruptuar dhe mungesës së transparencës. FT nënvizon se “opozita fajëson për këtë tragjedi korrupsionin shtetëror, mungesën e transparencës dhe kontrollit institucional – të cilat janë bërë shenja dalluese të regjimit Vuçiq”.
Protestat kanë marrë përmasa të reja muajt e fundit, me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, ndërsa thirrjet për zgjedhje të parakohshme janë shtuar.
Edhe pse në teori presidenti serb mund të zgjedhë rrugën e reformave dhe të lejojë funksionimin e një opozite të vërtetë, FT paralajmëron se “reforma nuk është rruga e autokratit – Vuçiq po sillet siç pritet, duke shtypur edhe më shumë”.
Në analizë, vihet gishti edhe mbi qasjen e BE-së dhe Britanisë së Madhe ndaj Beogradit. Sipas Financial Times, “BE-ja dhe Britania e Madhe e kanë lejuar për shumë kohë Vuçiqin të vazhdojë kështu, duke u udhëhequr nga realpolitika dhe frika se Serbia mund të afrohet me Rusinë”. Por, thuhet më tej, “kjo qasje nuk është më e pranueshme… Vuçiq duhet të shtyhet drejt përgjegjshmërisë dhe zgjedhjeve të ndershme – çka është jetike nëse Serbia dëshiron vërtet integrim në BE”.
Nëse Perëndimi nuk reagon, rreziku është që Serbia të ndjekë rrugën e Gjeorgjisë – “një pseudo-demokraci jashtë ndikimit europian, për të cilën BE mund vetëm të lëshojë deklarata boshe”.
Në përfundim, Financial Times lëshon një paralajmërim të qartë për udhëheqësit perëndimorë: “Nëse Serbia rrëshqet më tej drejt autoritarizmit, nuk do të jetë vetëm Vuçiq ai që mban përgjegjësi – por edhe mbështetësit e tij perëndimorë që kanë mbyllur sytë”.