Në prag të finales së shumëpritur të Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Interit, që zhvillohet këtë të shtunë në Munich, ka vetëm një dilemë në formacionin e kampionëve francezë, ndërsa Khvicha Kvaratskhelia është kthyer në stërvitje dhe pritet të jetë i gatshëm për përballjen.
PSG, që këtë fundjavë fitoi Coupe de France, është ende në garë për tripletën historike, pasi tashmë e kishte siguruar titullin kampion në Ligue 1.
Kvaratskhelia, i cili fillimisht ishte në formacionin titullar për finalen e Kupës kundër Stade Reims, u tërhoq nga ndeshja për shkak të një migrene të fortë dhe madje e braktisi stadiumin para përfundimit të ndeshjes.
Megjithatë, sipas raportimeve të fundit, ai është rikthyer në stërvitje dhe nuk është më në dyshim për finalen ndaj Interit.
Sipas “Sky Sport Italia”, e vetmja pikëpyetje për trajnerin Luis Enrique është mes Desire Doué dhe Bradley Barcola për krahun e majtë të sulmit.
Barcola mbetet favorit për ta nisur ndeshjen, pavarësisht se Doué ka shkëlqyer në këtë edicion të Champions-it me tre gola.
Lajmi i mirë për parizienët është se i vetmi mungesë e konfirmuar është Presnel Kimpembe, që vazhdon rikuperimin nga një dëmtim në tendinën e Akilit.
Në anën tjetër, Interi vjen në këtë ndeshje me skuadrën e plotë. Lautaro Martinez, Davide Frattesi, Yann Bisseck dhe Benjamin Pavard janë rikthyer në stërvitje të plotë.
Formacioni pritet të mbetet klasik me skemën 3-5-2, ku Denzel Dumfries dhe Federico Dimarco do të jenë si krahë mbështetës të dyshes sulmuese Martinez–Thuram.
Formacionet e mundshme:
PSG (4-3-3): Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Pacho, Mendes; Joao Neves, Vitinha, Fabian Ruiz; Barcola, Dembélé, Kvaratskhelia
Inter (3-5-2): Sommer; Pavard, Bastoni, Acerbi; Dumfries, Mkhitaryan, Barella, Calhanoglu, Dimarco; Thuram, Lautaro Martinez
Finalja pritet të jetë spektakolare, me të dyja skuadrat që kanë objektiva të mëdha dhe janë në formë të mirë./GazetaExpress/