32 skuadra nisën garën dhe vetëm dy kanë mbetur: Chelsea dhe Paris Saint-Germain përplasen në finalen e FIFA Club World Cup 2025, të dielën në “MetLife Stadium”, nën hijen e New York Cityt.
Kampionët në fuqi të Ligës së Kampionëve të UEFA-s kanë ruajtur nivelin dominues që i çoi në majën e futbollit evropian.
Ata shkatërruan Real Madridin me 4-0 në gjysmëfinale dhe kanë marshuar drejt finales me autoritet të plotë.
Ousmane Dembélé, pretendent për “Topin e Artë”, ka shënuar në çerekfinale dhe gjysmëfinale, dhe synon të forcojë më tej rastin e tij për çmimin individual më të lartë.
Luis Enrique ka krijuar një skuadër pa dobësi të dukshme — një makineri futbolli funksionale dhe kreative, ku ylli nuk është vetëm një, por e gjithë struktura.
Skuadra e Enzo Marescës është në ngritje. Pasi fituan UEFA Conference League dhe siguruan një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm, një triumf ndaj PSG-së do ishte një deklaratë force për epokën e re blu.
Joao Pedro, heroi i gjysmëfinales ndaj Fluminense me dy gola, mund të nisë sërish titullar, megjithëse Maresca theksoi se efektiviteti i tij vjen më shumë ndaj ekipeve me bllok të ulët – një situatë që nuk do e përballin ndaj PSG-së.
Liam Delap rikthehet pas pezullimit për kartonë të verdhë, ndërsa Nicolas Jackson mbetet në prapavijë pas kartonit të kuq.
Romeo Lavia është në dyshim për shkak të një dëmtimi muskulor, dhe Moises Caicedo kreu stërvitje individuale – prania e tij do vendoset në momentin e fundit.
Noni Madueke është larguar nga ekipi për shkak të transferimit të pritshëm te Arsenal, ndërsa Benoit Badiashile është jashtë me paterica.
Formacionet e mundshme
Chelsea (4-2-3-1)
Portier: Sanchez
Mbrojtja: Gusto, Adarabioyo, Colwill, Cucurella
Mesfusha: Fernandez, Caicedo
Sulmuesit: Neto, Nkunku, Palmer
Sulmues qendre: Joao Pedro
Të dëmtuar: Lavia (në dyshim), James (në dyshim), W. Fofana, Kellyman, Badiashile
Pezulluar: Asnjë
PSG (4-3-3)
Portier: Donnarumma
Mbrojtja: Hakimi, Marquinhos, Beraldo, Mendes
Mesfusha: Neves, Vitinha, Fabian Ruiz
Sulmi: Doue, Dembele, Kvaratskhelia
Të dëmtuar: Asnjë
Pezulluar: Pacho, L. Hernandez