Ndër temat e shumta që u trajtuan mbrëmë në emisionin “Favorit” në T7 ishte edhe ajo e finales së Kupës së Kosovës në futboll.
Drejtori për media dhe marketing i Ballkanit, Kushtrim Reshitaj dhe drejtori i përgjithshëm i Prishtinës, Artan Osmani, ishin mbrëmë pjesë e emisionit, ndërsa folën për ndeshjen e së mërkurës, e cila do ta përcaktojë më të mirin e Kupës.
Therandasit do ta kërkojnë këtë trofe për prestigj pasi nuk e kanë fituar asnjëherë në histori, kurse për prishtinasit kjo ndeshje do të jetë më e rëndësishmja e sezonit pasi përmes Kupës synojnë të dalin në Evropë, shkruan “Gazeta Express”.
“Pres ta fitojmë Kupën, mirëpo se çka do të ndodhë në fushë, do ta shohim të mërkurën. Është një ndeshje shumë e fortë. Prishtina është kundërshtari me të cilin kemi pasur problemeve kohëve të fundit. Në kampionat në fakt kemi shumë barazime. Edhe Prishtina nuk e ka mundur Ballkanin ka shumë vite, flas në kampionat. Kurse, në Kupë na kanë eliminuar. Superkupën në Turqi kur ishim e fitoi ndaj nesh”, deklaroi fillimisht Reshitaj në “Favorit”.
“Kështu që, është kundërshtar shumë i fortë për Ballkanin, por që ne jemi duke e synuar ta sjellim trofeun në Suharekë sepse është një trofe që na mungon, sepse titullin dhe Superkupën e kemi fituar, por Kupën e Kosovës jo. Kemi qenë në finale, pikërisht Prishtina na ka mposhtur në atë finale. E kemi dashur edhe atëherë Kupën, aq sa e duam edhe tash. Nëse skuadra do të luajë në nivelin që ka luajtur në ndeshjen e fundit në Podujevë, mund t’ia arrijmë këtij objektivi pa problem”, vazhdoi drejtori i Ballkanit.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Prishtinës shpreson që referimi të jetë korrekt dhe Bardhekaltrit ta përsërisin suksesin e vitit të kaluar në këtë kompeticion prestigjioz.
“Një përparësi të vogël e ka Ballkani sepse luan pa presionin të cilin e kemi ne pasi njërin objektiv e ka mbërri. Prishtina e ka dëshmuar se ndeshjet vendimtare i luan shumë mirë, shumë kompetitive dhe rrallëherë i humbim. Është me rëndësi ta japim maksimumin sa mundemi me dhënë. Është me rëndësi ta potencojmë që ta kemi një referim korrekt dhe të paanshëm pasi jemi të traumatizuar, ta them të drejtën. Cili ekip që do ta ketë ditën më të mirë, do të fitojë. Nuk ka ndonjë kualitet të madh mes skuadrave. Nëse e japim maksimumin shpresojmë të kemi rezultat pozitiv dhe ta fitojmë Kupën, njëjtë siç e kemi fituar edhe vjet kundër krejt parashikimeve”, deklaroi Osmani.
Për ta parë të plotë emisionin “Favorit” në Youtube mund të klikoni më poshtë. /Gazeta Express/
Kreditimi Rural i Kosovës (KRK), është një institucion mikrofinanciar në Kosovë, që do të përfitojë një kredi prej 10...