Filoborati këshillon Demë Gogën - Gazeta Express
string(31) "filoborati-keshillon-deme-gogen"

Filoborati këshillon Demë Gogën

OP/ED

Gazeta Express

14/09/2021 11:16

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për shkak se së shpejti do ta rrëzojë nga pushteti Edi Ramën e Shqipërisë dhe tjerët – thotë filozofi slloven Slavoj Žižek. Ku i bëri ai këto analiza? Thotë se ka folur vetë me Albin Kurtin. Sa seriozisht duhet të merret ky dhe qeveria që vepron sipas mendësisë së llojit?

Xhemal AHMETI

Lexo Edhe:

Media boshnjake N1 solli një bisedë me aktualisht kryeideologun e diksursit në «Russia Today».  Rëndom, ka kohë që Žižek nuk citohet mediave të botës perëndimore. Jo ngase lufton eurocentrizmin, kapitalizmin, liberalizmin, përkundrazi. Ex libri (kur lexojmë veprën e tij) na del e kundërta. Ai mëton të mbrojë këto nga refugjatët ekonomik dhe terrorizmi islamik. Dakord i lufton këto në emër të marksizmit, respektivisht vetëm atij marksizmi që gjendet brenda faqeve të manifestit të famshëm e jo matej. Për këtë arsye kontradikta bëhet edhe më e padurueshme.

Mediat perëndimore ditore e serioze nuk e citojnë më për shkak të konfuzionit, kontradiktave të mëdha dhe gati eklatante që sjell ai me shkrimet e tij. Nëse po, atëherë e botojnë për like dhe si kuriozitet. Duket joserioz. Prandaj nëse e kërkon atë e gjen së fundi mediave lindore; në Moskë, Sarajevë, Prishtinë. Në qendrën e fundit është në modë edhe për arsye të relacionit të mirë që ka me kryeministrin aktual të Republikës së Kosovës Albin Kurtin.

Lidhja është siguruar nëpërmjet ca doktorantëve të tij që mëtojnë të shpërthejnë diskursit të botës po me të njëjtat «mite e simptoma» [për simptomën lexo më poshtë] siç ia doli profesori i tyre. S’kanë shanse, por përpiqen me shpresën se duke vënë emrin e mësuesit pranë, ia dalin disi. Janë zhonglerë aktiv citatesh të kapura digjitalitetit, por që nuk premtojnë më tepër se kaq.

Nxënës poaq konfuz sa vetë mësuesi i tyre.Të llojit, fragmentet e të cilëve të lënë përshtypjen sikur Marksi të jetë inkarnim i mistikut Rumi, ashtu siç ta krijon përshtypjen Žižek Hegeli të jetë epigon i Shën Palit. Kaos, kompilim informatash kulturologjike në funksion imagjinaliash, të cilat gjatë përpjekjes për t’i fuzionuar kontradikta u bën atentatin.

Si duket këta «lidhje» do ta kenë bindur Žižek-un që të plasojë elozhet dhe konstatimet e tij që thonë : «Kurti është i vetmi që nuk lejon Evropën t’i shes mësime Kosovës; nuk lejon Evropën që ta trajtojë si një rajon primitiv ku mund të realizoj pasionet dhe traumat e saja nacionaliste» (N1 13/09/2021 | 16:46). Evropa nacionaliste? Kontinenti apo BE komb? Oksidenti kundër Orientit?

Ky refuzim e bën Kosovën sipas  Žižek-ut model. Refuzimi i Evropës? Cilës? Kosova, sipas tij, s’ka nevojë për Europën sepse mund të zgjidh problemet me serbet vetë. Profesori slloven këtë konstatim e nxjerr si analizë nga një bisedë me Kurtin, i cili paska thënë : «E pyeta Kurtin se si i mendon ai serbët, dhe ai më rrëfeu një histori të mrekullueshme – kur ai ishte në një burg, me qindra të burgosur serbë dhe tetë shqiptarë. Ai kurrë nuk kishte asnjë konflikt me të burgosurit serbë. Të gjithë e mbronin njëri-tjetrin».

Rastin që Kurti tregoi se si gardianët e burgut kanë festuar 11 shtatorin, sulmin kundër SHBA-ve me siguri nuk ia ka treguar edhe ideologut të tij. Item:  Žižek është i bindur se Kurti do të fshijë nga skena politike Vuçiçin dhe Edi Ramën.

Çka mësojmë nga ky referat i Žižek-ut është se Kurti dhe këshilltarët e tij e paskan bindur se luftojnë kundër nacionalizmit evropian (!?), eurocentrizmit, janë shtet feminist, dhe gjenden në ofensivë të shkarkojnë dy primatët tjerë ballkanik, atë të Shqipërisë dhe Serbisë. Misione interesante këto, sikur ta dinim si-në dhe pse-në e këtij projekti. Nuk i dimë dhe s’do t’i dimë kurrë sepse besojmë thellë që as Žižek e as të lavdëruarit e tij nuk i dinë.

Po t’i dinin nuk do të fantazonin kështu dhe do të rrinin në tokë. Ajo që del shqetësuese mirëpo nga deklaratat e ideologut të qeveritarëve kosovarë është analogjia dhe polaritetet : nëse s’je me Evropën (pra me BE-në dhe mekanizmat e saja eurocentrike) me kë je atëherë, kur realpolitika të thotë se nuk ekziston dot vetë? Me demonin e kapitalizmit agresiv siç i sheh Žižek SHBA-të? Nëse s’je me askënd është izolimi e vetmja rrugë.

Me cilën doktrinë aktuale përputhet në thelb më së bukuri ky ligjërim përshkrues i mentorit nga Ljubljana: me atë të Rusisë, Kinës, Iranit, qendra të cilat përpiqen ta bëjnë konkurrencën ndaj liberalizmit oksidental?

 Se sa seriozisht duhet ta marrim këtë udhë ideologjike të Qeverisë kosovare dhe vetë ideologun e tyre ndoshta na ndihmon përshkrimi që pason.

II.

Ai dridhet. Nga djersët le përshtypjen e një atleti që ka ngarendur me orë të tëra para se të vijë në ligjëratë. Gjestikulon duke folur me veten. Një lacan-ist fanatik, psikiatër patjetër, i ulur pranë meje zgjat gojën e drejt veshit tim dhe më thotë në një frëngjishte me aksent italian «Ce sont des symptômes de la cocaïne».

Pas një zgërdhirje të pakontrollueshme tha «Liebe Dein Symptom wie Dich selbst!» [titulli i një eseje të ligjëruesit ; «duaje simptomën tënde si veten», të botuar edhe në gjermanishte në vitin 1991]. Ai foli aq më zë sa që plotë kthyen kokat kah ne. Edhe Slavoj Žižek çoi dorën përpjetë duke qeshur në drejtimin tonë.

Ligjërata u përngjau atyre skenave në Waterloo. Vetëm se në këtë rast nuk luftonin dy ushtarë kundër njëri tjetrit, por vetëm njëri kundër vetes. Sidomos gjatë pyetjeve të audiencës.

Njëri që kishte lexuar librin e tij «Trouble in Paradise: 2014», e luste autorin t’i shpjegojë se pse figurat e tij Batman, pianisti sovjetik Prokofjev dhe regjisori autokrat Lubiç janë si heronjtë e tij Julian Assange, Chlesea Manning dhe Edward Snowden, ata pra që mund të realizojnë idenë e komunizmit sipas Marksit dhe Lacan-it, edhe pse njëkohësisht festohen si ikona kundër çdo lloj totalitarizmi, sistemi që donë të përgjojë gjithçka siç bënte komunizmi?

Tjetri i kërkon t’i bëj shpjegime rreth një paradoksi të madh ideologjik që autori paska ne veprat e tij : «Ju në shumicën e librave kërkoni vdekjen e liberalizmit si motor të kapitalizmit», por në librin ‘Islam and Modernity: some blasphemic Reflexions´, qortoni po të njëjtin pse nuk i mbron vlerat e tij kundër terrorizmit islam»?

I treti, një ligjërues tunizian në një shkollë zvicerane i bashkëngjitet paraprakut: «Ju premtoni një projekt të majtë për shekullin 21 tek libri ‘Shpirtrat e këqij të sferës qiellore‘, ku si recetë sillni moton e Shën Palit dhe kërkoni përforcim të thelbit utopik të komunizmit. Pse gjithandej figurat biblike i sillni ne dritë pozitive e ato kuranore në negative dhe cili është projekti konkret. Në libër s’ka gjë?». Psikiatri afër meje është djersitur edhe më keq se Žižek dhe këput thonjtë e gishtave me dhëmbë.

Që konferenca të bëhet edhe më dramatike, një afgane e shkolluar e pyet: «Ju thoni se perëndimi nuk do ta zgjedh problemin me refugjatët dhe terrorin islamik me parullën «duaje tjetrin si ti vetë» (Libri : Lufta e re klasave : 2015), ngase refugjatët vijnë vetëm për shkaqe ekonomike (unë ju them se nuk është përherë ashtu) çka i preferoni pra perëndimit kapitalist, liberal, të bëjë?». Žižek zgjatet në «well…»-et e tij tepër si gjatë dhe ndërron temën aty për aty.

Gjitha përgjigjet e Žižek ishin si librat e tij: Komunizmi ka vdek. Jo s’ka vdek. Duhet ta ringjallim. Njerzit nuk jetojnë dot pa utopi dhe komunizmi është shpëtimi. E budizmi natyror ; Spinoza dhe Hitchcock ; Hegeli me tru të kthyer mbrapsht ; Lacani i eksploatuar edhe në ato që nuk i ka thënë kurrë ; Supermeni, Bruce Lee, Kafka, Wagneri dhe Shakespars çka mund të kontribojnë këta për këtë utopi?

Psikiatri, përndryshe profesor i psikologjisë klinike, më fund shpërtheu duke bërtitur titullin e esesë të Harry G. Frankfurt-it «Bullshit !» dhe iku si rrufé nga salla. Ai njihte si duket simptomat e ligjëruesit duke u nisur nga vetja.

III.

Në asnjë libër të Žižek nuk ka projekte dhe përgjigje të tipit për shembull si ai i duos Chantal Mouffe dhe Ernesto Laclau, libri i të cilëve «Hegjemonia dhe demokracia radikale» konsiderohet si një nga tekstet bazike të postmarksizmit (Agonistika).

Ato, dhjetëra librat – në këtë kontekst – nuk të japin asnjë pasqyrë konkrete eseistike (e lere më shkencore) as mbi Marksin, as mbi Hegelin (lexo kryestudimin e tij «Më pak se asgjë – Hegeli dhe hijet e materializmit dialektik» : 2012) siç mund të jap eseja 200 faqeshe e katomarksistit Terry Eagleton «Why Marx Was Right» (2011). Kjo është edhe arsyeja se Žižek është referenca më minimale tek filozofët «profesional» (të akademive) ose i citohen tekste si të tipit pse Stalini nuk ka qenë aq i keq (me miliona viktima, lexo Baberowsky Jörg: «Tokë e djegur – sundimi dhe dhuna e Stalinit» : 2012) ose me ese : «Revolucioni do të ndodh së shpejti : 12 trajtesa për Leninin», siç ndodh në studimin më serioz të fundit mbi marksizmin «Folozofia pas Marksit» të Christoph Henning-ut.

Një insider, njohës i Žižek-ut thotë se «ai ta gjen një fjali perse në ndonjë leksikon; ulet i hap fjalorët e filozofisë dhe librat që ka dhe ta shkruan një libër brenda dy netëve pa e ditur as vetë se çka donë në fund». Llafologji. Jo pa arsye ndoshta koleg të tij e thirrin «Borat i filozofisë», ashtu siç e quajti dikur edhe një redaktore (in vivo) gjermane e cila u nda e shokuar nga përgjigja dhe zgërdhirja e «filozofit» ndaj pyetjes :«ku e gjeni kohën t’i shikoni gjithë ato filma e opera?». Žižek i tha se kurrë në jetë asnjërin nga filmat që trajton gjithandej nuk i ka shikuar.

Žižek nuk sjell koncepte. Ai sjell vetëm «Ressentiment»-e jo vetëm kunder oskidentit (liberalizmi, kapitalizmi global, perëndimi) por edhe kundër orientit (refugjatët ekonomik që kërcënojnë Evropën, terrori islamik) dhe atë jo pse i trajton këto tema por për shkak të mënyrës se si i trajton. Ai u thotë gjithë këtyre besoni në komunizëm, në utopinë komuniste se ndryshe nuk rregullohet bota, por s’di më shumë, nuk di të tregojë si. Ashtu siç nuk dinë ithtarët e tij se çka janë de facto: komunistë, kapitalistë apo mistikë e budistë.

IV.

Është jashtëzakonisht joserioze dhe e dëmshme që një qeveri shteti normal të priret nga mendësia e një «ideolog»-u si Žižek. Kulmin që mund ta arrish duke u mbështetur në të është të përfundosh si Korea e Veriut sa i përket politikës së jashtme dhe edhe më keq se ajo sa i përket politikës së brendshme. Alarmant është po-ashtu segmenti fashist brendashqiptar që sjellin deklaratat e tij. Dhe ky segment mund të jetë e vetmja gjë që mund ta pranojmë si indikator projekti. E se nga mund të vijë ai projekt e dinë të gjithë.

Konfuzion dhe kaos ka qeveria kosovare edhe pa Žižek-un mjaftueshëm. Tash çka i mungon asaj është edhe të rreshtohet sipas referencave të tij. Apo vërtet beson kjo qeveri se është kundër Evropës, demokracisë liberale (që e ka vetë për sistem) dhe model me synimin t’i pushtojë edhe shtetet tjera sipas ideologjisë së atij që mbi shtrat mban portretin e Stalinit.