Përkitazi me filmin ‘Saving Private Ryan’ (1998), të regjisorit Steven Spielberg
Dritan Dragusha
Në detin e paanë, aty ku zbarkuan, në një plazhë të hapur, bashkë me ajrin e ftoht mëngjesin e 6 qershorit 1944 ua uronin plumbat e ushtarve nazist. Gati se secilin trup do ta përshkonin këta plumba. Dhe pavarësisht kësaj ata kishin vendosur që të zbarkonin aty, sepse e ndjenin se vetëm në ballafaqim me ata plumba, po në atë fushëbetej që nuk i mbronte asgjë, asnjë dru për be, do ta mposhtnin forcën më të errët që njerëzimi modern po përjetonte. E njohur si D-day, është pothuajse edhe fillimi i fundit të Gjermanisë naziste. Nën këtë llahtari, ku ushtarët bien për dhe njëri pas tjetrit, hapet Saving Private Ryan, një nga filmat më tronditës që është bërë për Luftën e Dytë Botërore. Regjisori Steven Spielberg në këtë filmin nëpërmes shfaqjes 27 minutëshe, na e paraqet një ndër llahtarit më të mdha të kësaj lufte. Te ky film paraqitet nervi më vrasës i njeriut. Aty shpërfaqet gadishmëria e padurueshme për të vdekur, e që kësaj duhet t’i paraprijë gadishmëria për të vrarë tjetrin.
Pas betejes së paraqitur, ngjarja zhvendoset në një fermë në Amerikë, ku një nënë brenda një dite pranon tri letra, përmes të cilave merr lajmin tronditës për tre djemt e saj të vrarë në luftë. Mirëpo, ajo ka edhe Ryan-in, djalin e saj të katërt i cili është gjallë duke luftuar diku në Francë. Gjithashtu, në ndërkohë, në Uashington, në departamentin e luftës, edhe gjenerali George Marshall-i ishte informuar për fatin tragjik të kësaj nëne dhe ai menjherë urdhëron që ushtari Ryan të gjendet i gjallë dhe të kthehet në shtëpi. Njësiti ushtarak që ngarkohet për ta gjetur ushtarin Ryan i duhet të përshkoj nëper zonat më të rrezikshme të luftës, që regjisori Spielberg na i paraqet si zonat e tmerrit. Ky moment është edhe tema qëndrore e filmit Saving Private Ryan. Nëpërmes kërkimit të ushtarit Ryan, regjisori Spielberg na i paraqet vuajtjen dhe mjerimin që lufta po linte mbrapa, por, po ashtu, ai nxjerrë në pah një nga momentet më simbolike që e karakterizon Amerikën, atë se kudo që të jeshë dhe si do që ke përfunduar aty, Amerika nuk të lë pas, nëse je qytetar i saj dhe ke vendosur të vdesësh për të. Për një moment e gjithë Amerika është Ryan-i. Vrasja e tij në luftë nuk flet shumë të, sepse siç tanimë na bën të ditur regjisori tre vëllezërit e e tij janë vrarë, por flet për humbjen e Amerikës. Flet për dinjitetin e saj. Prandaj shpëtimi i ushtarit Ryan është edhe shëtimi i vetë Amerikës.
Regjisori Spielberg me idenë e shpetimit të këtij ushtari, që ishte njësoj si qindra mijra ushtarë të tjerë, që po luftonin dhe po vriteshin çdo ditë, do të mundohet të na e shpërfaq edhe anën njerëzore në gjithë atë çmenduri. Fakti se në një luftë kaq dehumanizuese, sa që njerëzorja kishte shfaqë natyrën e saj më djallëzore, prapëseprapë njeriut i mbetet që të mbledhë kurajon dhe ta kërkojë brenda vetës anën më humane të tij.
Filmi Saving Private Ryan, përveç paraqitjes së tmerreve që shkakton lufta, mundohet të na tregoj edhe anën njerëzore, fuqi kjo që njeriu nuk duhet ta humbas edhe në momentet më të pashpresa siç ishte Lufta e Dytë Botrore. “Nuk ekziston asnjë mënyrë e ndershme për të vrarë, nuk ka as mënyrë të butë për të shkatërruar. Nuk vjen asgjë e mirë nga lufta. Me përjashtim fund të saj”, thoshte Abraham Lincoln.
/Gazeta Express