Filmreview / Pushteti djeg edhe libra - Gazeta Express
string(35) "filmreview-pushteti-djeg-edhe-libra"

Arte

Gazeta Express

01/07/2022 17:26

Filmreview / Pushteti djeg edhe libra

Arte

Gazeta Express

01/07/2022 17:26

Fahrenheit 451 duhet parë si një e ardhme e mundshme, por e trishtueshme, që mund të bëhen reale edhe atëherë kur jemi të bindur se epoka e marrëzive ideologjike kolektiviste ku për agjendë kanë zhdukjen e individumit njerëzor, ka përfunduar

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Fahrenheit 451, është një film distopik  që sheshon raportin e njeriut me librin, e që në fakt shprehë në sfond fuqinë që pushteti insiston ta instalojë tek njeriu, qoftë edhe me kushtin që t’ua vë flakën të gjitha librave. Ky film paraqet një qeveri totalitare e cila krijon një forcë të njohur si zjarrfikësit, e cila është e përzgjedhur për ta djegur çdo libër që ata gjejnë. Këta zjarrfikës, e që në fakt janë pararoja e shkrumbimit të mundësisë së njerëzve që të jenë të lirë në kërkim të njohurive që ofrojnë librat, janë të lirë që në çdo kohë dhe kudo të futen për të kërkuar libra për t’i djegur. Ata futen në çdo apartament, në çdo dhomë, pra në çdo skutë për ta gjetur dhe djegur më pastaj librat. Armikun e tyre të përhershëm, librin, duhet djegur me patjetër. Pra, siç e vërejmë regjisori Truffaut qëllimshëm skuadrën e zjarrvënësve të librave e identifikon me zjarrfikësit realë, sepse përmes kësaj metafore ai mundohet ta shprehë fuqinë që mund ta ketë popullizmi nëpërmes kamuflimit eventual.

Filmi Fahrenheit 451, është i realizuar më 1966 nga regjisori François Truffaut e vë në spikamë fuqinë që mund ta ketë popullizmit si një formë vullgare e shprehjes politike. Regjisori François Truffaut nëpërmes shumë elementeve të inkorporuara në këtë film, ku theks të veçantë i kushton fushatës së ndërmarrë nga shteti për t’i djegur të gjitha librat. Ky realitet i zymtë që paraqitet në film është i modeluar në mënyrë imagjinative, por që është i vendour edhe në kontrast me estetikën brutale arkitektonike. Filmi Fahrenheit 451 është shumë më tepër se sa një alegori për të ardhmen, sepse ai paraqet rreziqet që qëndrojnë përherë pezull për njeriun modern. Regjisori Truffaut mundohet që përveç rrezikut që vjen nga format e ligjërimit popullist vullgar, ai paraqet edhe temperamentin njerëzor që sillet rreth një anti-humanizmi që krenohet me vetëshkatërrimin e tij.     

Një situatë mjaft interesante paraqitet atëherë kur njëri nga pjesëtarët e zjarrfikësve, Guy Montag (luajtur nga Oskar Werner), takon një nga fqinjët e tij, Clarisse (luajtur nga Julie Christie), e cila me profesion është mësuese. Kur Clarisse e pyet Guy Montag se a lexon ndonjëherë libra, pasi që Clarisse e ka të njohur punën që bën fqiu i saj, është pikërisht ky momenti kur Guy Montag bëhet kurioz për leximin e tyre. Deri në atë çast ai librat i konsideronte si diçka që duhet t’ua vësh flakën. Mirëpo, pas kësaj ai fillon të mbledhë libra dhe kështu fillon t’i lexojë fshehurazi ato, duke filluar me David Copperfield, të shkrimtarit Charles Dickens. Kjo situatë e dërgon në konflikt me bashkëshorten e tij, Linda (gjithashtu luajtur nga Julie Christie), e cila preokupim kryesor e ka mundësinë e pjesëmarrjes në një program televiziv interaktiv The Family, për deri sa ai ishte në mes  të profesionit që kërkon të djeg sa më shumë libra, mundësisht të gjitha dhe dëshirës për t’i lexuar ato. Pra, një qeveri e tillë që institucionalizon popullizmin si formë zyrtare të ligjërimit, gjithsesi do ta instalojë edhe skizofrenin masive, e që si shembull i kësaj skizofreni është pikërisht protagonisti i filmit Fahrenheit 451, Guy Montag.

Prandaj, filmi Fahrenheit 451, është më i komplikuar sesa thjeshtë një vështrim i thjeshtë mbi një histori të tmerrshme ku protagonist i krimit ishte vet shteti. Ky filmi në thelb mëton të ravizojë fuqinë që mund ta kenë shprehjet politike, që përmes kamuflimit të diskursit apo fshehjes pas ideve të mëdha populliste të na fusin në qorrsokak. Edhe përkundër që demokracia është një sistem i vlerave diametralisht të kundërt me format të tilla kolektiviste, ajo po ashtu i ekspozohet këtyre shprehjeve politike të cilat si substrat të tyre kanë zhdukjen e fuqisë së individit brenda konceptit të masës, pra, suprimimin e mendimit. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme të cilën e shpërfaq ky film. Pikërisht për këtë, filmi Fahrenheit 451 duhet parë si një e ardhme e mundshme, por e trishtueshme, që mund të bëhen reale edhe atëherë kur jemi të bindur se epoka e marrëzive ideologjike kolektiviste ku për agjendë kanë zhdukjen e individumit njerëzor, ka përfunduar.

/Gazeta Express