Përkitazi me filmin ‘Animal Farm’, të regjisorit John Stephenson, të realizuar në vitin 1999
Dritan Dragusha
Ka kohë që thuhet se popullizmi është një nga shprehjet politike që e vë demokracinë në rrezik. Po ashtu, është krijuar përshtypja se secili politikan apo secila parti politike në një moment të caktuar mund të kalojë lehtësisht në popullizëm, e kjo përshtypje nuk është se nuk qëndron. Kohëve të fundit kemi parë gjithandej nëpër botë fushata elektorale ku ligjërimi popullist, ku më pak e ku më shumë, ishte i pranishëm. Mbase edhe BREXIT-i ishte pothuajse kryekëput ligjërim popullist. Gjithashtu, rasti me refugjatët nga Siria dhe vendet e tjera që mësynë Evropën, alarmi që ndezi e nxori në pah një popullizëm që herë-herë kaloi edhe në fashizëm. Kurse, rasti në Amerikë, me Trump-in nxori në pah edhe më brishtësinë e demokracisë, por po ashtu, shpërfaqi edhe vështirësitë nga kampi liberal-demokrat që të gjejnë forcë dhe të ballafaqohen me popullizmin, këtë frymë dekurajuese.
Pra, siç edhe kemi vërejtur, këtu kemi të bëjmë me dy mendësi, me dy botëkuptime mbi realitetin. Brenda diskursit liberal-demokratik dominon ligjërimi konkret, pa ngarkesa emocionale, me një rrjedhë sa më normale dhe graduale, dhe po ashtu pa ekzagjerime (në shumicën e rasteve deri në patetizëm) dhe si i tillë ai nuk provokon tek masat adrenalinë. Ndërsa, tek diskursi popullist ligjërimi politik është në shpërputhje me realitetin. Me shumë ngarkesa emocionale, me ofrim të zgjidhjeve (sado të komplikuara) përmes rrugëve të shkurtra, me ekzagjerime e hiperbola, e që synon të ngrejë adrenalinën tek masat sa më shumë që të jetë e mundur.

Për popullistët pothuajse çdo problem është i thjeshtë, mirëpo, atë e bënë të komplikueshëm mungesa e vullnetit dhe guximit. Thjeshtëzimi është fondamenti diskursiv politik i tyre. Përmes moralizimit të politikës popullistët ndërtojnë një gjuhë politike që krijon polarizime të forta në shoqëri dhe ku të mirët dhe të këqijtë tanimë duken sikur në mes të një lëndine. Përmes mbithjeshtëzimit të problemeve dhe moralizimit të veprimeve politike popullistët ndërtojnë kauza politike infantile, e ku përmes tyre synojnë jo vetëm pushtetin (atë po se po), por synojnë edhe krijimin e hendekut mes atyre që ata i konsiderojnë të mirë dhe atyre që tanimë i kanë shpallur si e keqja e popullit. Krejt kjo bëhet duke u thirrur në të ashtuquajturin vullnet i popullit. Vullneti i popullit bëhet kolona zanore e kinse legjitimitetit të tyre politik, edhe pse Christopher H. Achen dhe Larry M. Bartels, vullnetin e popullit e identifikojnë me fantazinë.
Vetë kategorizimi si “popull’ është nocion abstrakt, nuk shënjon diçka konkrete. Madje, Habermas-i mendonte se populli si kategori ekziston vetëm në diversitet. Por, kjo nuk ka rëndësi për popullistët, sepse ata kur i referohen popullit apo vullnetit të tij, për adresë kanë grupin e pakënaqur në shoqëri, masat e mllefosura, e që për shumë arsye identifikohen me ta dhe anasjelltas. Ky totalizim krijon perspektivë interpretimi, duke simuluar kriza ose ato që janë duke i hiperbolizuar dhe kështu krijojnë një gjendje hiperreale. Kriza ose prodhimi i tyre është markë zjarri populliste dhe nëse e tashmja nuk ju ofron katastrofa të mjaftueshme për t’u shfrytëzuar, atëherë duhet prodhuar katastrofat imagjinare të së ardhmes.
Popullizmi është projeksion fatalist. Krejt kjo bëhet duke moralizuar për gjithçka dhe për çdo gjë, e ku popullistët e bëjnë mbi bazën e ekskluzivitetit moral. Përveç që besojnë se kanë të vërtetën e pakundërshtueshme, ata besojnë se edhe moralisht janë e drejta absolute dhe mbi bazën e kësaj edhe sillen në politikë. “Popullizmi, i cili kornizon politikën si një betejë midis njerëzve të zakonshëm dhe elitave të korruptuara”, bën që bazamenti i diskursit tyre të jetë morali.
Oferta populliste se kinse ka zgjidhje për gjithçka dhe çdo gjë, nuk është vetëm një mashtrim ordiner, por mund të prodhojë edhe dëme të mëdha. Shpesh mendohet se popullizmi është vetëm një irritim momental politik në rendin demokratik e social dhe se shumë shpejt ai pushon së qeni i pranishëm ndër ne. Përderisa kemi politikanë që veten e projektojnë si pjesë inherente të halleve të popullit, ndërsa kauzën e tyre si domosdoshmëri historike, atëherë është iluzion se ai do të zhduket lehtë.
Një trajtim mjaft serioz të popullizmit ashtu sikurse e paraqet libri Ferma e kafshëve e shkrimtarit politik George Orwell, po me të njejtin seriozitet e paraqet edhe filmi adaptuar, me po të njejtin emër sikurse libri (Animal Farm), i vitit 1999, i regjisorit John Stephenson, një komedi- dramë politike. Se çfarë në të vërtetë është popullizmi dhe delli popullist, ndoshta më së miri na e ilustronte derri Squealer (luajtur nëpërmes zërit të aktorit Ian Holm). Kur ata (derrat) gjenden nën akuzat nga kafshët tjera se po merrnin qumështin dhe mollët vetëm për vete, derri Squealer-i ju drejtohet kafshëve të fermës kështu: Shokë, s’besoj t’ju shkojë ndër mend se mos ne, derrat, po e bëjmë këtë duke u nisur nga interesi personal për t’i krijuar vetes privilegje. Ç’është e vërteta, një pjesë e mirë prej nesh nuk i vë në gojë as qumështin dhe as mollët. Por jemi të detyruar t’i marrim me zor dhe me të vetmin synim: ruajtjen e shëndetit.
Siç e ka vërtetuar edhe Shkenca Bashkëkohore, shokë, qumështi dhe mollët përmbajnë substanca absolutisht të domosdoshme për mirëqenien e derrave. Ne, derrat, shokë, bëjmë punë mendore, mbi supet tona ka rënë barra e drejtimit dhe udhëheqjes së jetës së fermës. As gjumi i natës nuk na zë nga meraku që kemi për mbarëvajtjen tuaj. Për ju, dhe vetëm për ju, jemi të detyruar të pimë atë farë qumështi dhe të hamë ato palo mollë. Po a e dini se ç’rrezik na kanoset të gjithëve po të mos na krijohen ne, derrave, lehtësira për të kryer si duhet detyrën? Kthehet Mrs. Jones. Po, po! Do të kthehet Mrs. Jones, Pa diskutim, shokë! Nuk ma do mendja të ketë midis jush ndonjë që ka qejf t’i kthehet Mrs. Jones, apo jo?”
Pra, i gjithë ky monolog i derrit Squealer shpërfaq më së miri nervin mashtrues popullist. “Ne jemi populli? Po ju, kush jeni?, u drejtohej dikur presidenti Erdogan kritikëve të tij. Andaj, filmi Animal Farm i regjisorit John Stephenson është një parathanie vizuele për popullizmin.
/Gazeta Express
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...