Përkitazi me filmin “Parullat” (2001), të regjisorit Gjergj Xhuvani
Dritan Dragusha
Aty gjithçka sillet rreth parullave. Madje, edhe vetë jeta e njerëzve lëviz nëpër tehun që ato parulla diktojnë. Mjafton që një dhi të kalojë mbi to apo të bjerë një shi i rrëmbyeshëm dhe t’i prishë parullat, që pastaj të përfundosh i dënuar, o me punë të detyrueshme, o në burg. Prandaj, këto parulla bëhen edhe mjet shumë i mirë edhe për të krijuar apo për të prishur relacionet në mes njerëzve. Askush nuk i beson askujt, por, ama, të gjithë iu besojnë parullave. Parullat tingëllojnë sikur vija demarkuese në mes jetës dhe vdekjes. Ato dikujt i sjellin makth, kurse dikujt edhe privilegje. “Imperializmi amerikan është një tigër prej letre”, “Lart frymën revolucionare”, “Enver Hoxha”, “Vietnami do fitojë”. Këto janë vetëm disa nga parullat me të cilat jetojnë njerëzit e një fshati të humbur. Ky fshat e shpërfaq Shqipërinë komuniste sikur në një miniaturë. Këto parulla paraqiten në filmin e regjisorit shqiptar, Gjergj Xhuvani.
Drejtori i shkollës “Përparimi”, i cili bashkë me përfaqësuesin e Partisë së Punës aty në fshat, zgjedhin parullën për mësuesin Andrea, i cili bashkë me nxënësit e tij pastaj do ta shkruajnë parullën e caktuar. Në shikim të parë gjithçka duket e thjesht, me anë të gurëve të shkruash një parullë të caktuar në një faqe mali. Mirëpo, përveç që është një punë e bezdisshme, është edhe shumë e mundimshme, sidomos për nxënësit, të cilët, sa herë që do t’i caktohet mësuesit të tyre një parullë e re për ta shkruar, ata presin në ankth se sa e gjatë do të jetë ajo parullë. Parulla e shkurtër për ta është sikur festë. Sa më e shkurtër parulla i bie që ka më pak shkronja, që do të thotë më pak gurë. Pra, më pak mundim për ta.
Në fshat organizohen gjyqe e mini-plenume për ngatërrimin eventual të parullave. Një nxënës ngatërron parullën dhe si rezultat babai i tij përfundon në burg. Shkrimi jo i bukur i një parulle në një muri, që i ishte caktuar mësuesit Andrea, nga gjyqi i shkollës do të cilësohej si mungesë pasioni dhe kjo do t’i kushtojë me gjashtë muaj punë të detyrueshme. Madje, kësaj akuze do t’i shtohet edhe mos duartrokitja e tij si duhet, kur një ditë do të parakalonte një veturë e një zyrtari të byrosë qendrore aty pranë fshatit. “Vietnami paska fitue, oj gru!” i thotë mësues Lleshi gruas së tij i gëzuar pasi merr lajmin nga drejtori i shkollës. Mirëpo, ai do të qortohet se nuk është vigjilent sa duhet për situatën, sepse parullën “Vietnami do fitojë”, nuk e kishte hequr, edhe pas dhjetë viteve që kishte përfunduar ajo luftë.
Pra, regjisori Xhuvani përmes këtij fshati na e paraqet një Shqipëri të prapambetur, që jeton në buzë të ekzistencës. Një Shqipëri që është e harruar dhe që njerëzit e saj jetojnë sikur të humbur në kohë dhe hapësirë. Filmi “Parullat” tregon edhe për një jetë shterpe. Një jetë që kuptimësimin e saj e gjen vetëm nëpërmes frikës. “Parullat” e Xhuvanit paraqesin një jetë pa shije në një Shqipëri të zymtë. Nëse e analizojmë me kujdes, filmi “Parullat”, përveç që flet për një kohë të shkuar, ai sikur na ngacmon edhe për të tashmen, apo më mirë të themi, na flet për një botë që vazhdimisht jeton në gjithëpraninë e parullave. Regjisori Xhuvani duket sikur na thotë se konteksti i ndërron parullat dhe ju jep fuqinë e caktuar atyre. Duket sikur në sfond të filmit “Parullat” qëndron si varur sentenca sa më shumë parulla, më pak jetë, e më shumë mjerim. Ky film duket sikur nuk flet vetëm për të djeshmen, por ai flet edhe për të sotshmen.
/Gazeta Express