Në ditën e parë të Prifest u dha premierë filmi “Lejleku” i Isa Qosjes, bashkëprodhim mes Malit të Zi dhe Kosovës.
Filmi “Lejleku” tenton të ngërthejë një sërë tematikash, të cilat pa çare ndërlidhen me mënyrën e jetesës në një zonë të thellë rurale dhe jo vetëm. Religjioni, diskriminimi gjinor, vetëvrasja, emigrimi, e besëtytnitë janë disa nga elementet kyçe të filmit
Kinematografia kosovare në përsëritje
Zakonisht në skenat e filmave, prodhime të kinematografisë kosovare, ne shohim tematika thuajse të ngjashme të cilat si të zëna ngushtë përsëritën në një rreth vicioz. Në këtë rast trajtimi i mënyrës së jetesës në zonat rurale të Kosovës, të cilat në thumb qëllimshëm piketojnë paragjykimet, stigmën dhe trajtesën e grave sidomos, janë përbërës pothuajse të pandashëm të shumë prodhimeve tek ne. Domosdoshmeria e trajtimit të këtyre tematikave mbase arsyetohet me faktin se ne si shoqëri diku diku ende mendojmë dhe veprojmë njësoj ose për faktin që kjo mënyrë jetese ka ndikuar për vite me radhë si brum i krijimit të origjinës së kësaj shoqërie, duke mos lënë anash as aspektin nostalgjik. Personazhet që krijohen rëndom i përkasin një kategorie të shoqërisë, e cila as nuk duket e as nuk mund të jetë e fuqishme në tablon e gjerë. Janë disa karaktere që krijohen në një botë të vogël, normale, të varfër. Ani pse këto karaktere nuk ngjasojnë me njëra-tjetrën, bëjnë luftë, kundërshtojnë, ose pranojnë fatet e tyre, nuk përfaqësojnë masën, megjithatë përmes tyre dhe konflikteve të brendshme të jetesës së tyre, na krijohet një pikturë e gjerë e asaj çfarë jemi në përgjithësi si shoqëri.
Karakteret e Qosjes
Skena e parë, hapëse e filmit, dyzon të bukurën me fatalen. Skena e vetëvrasjes së njërit prej personazheve krijon idenë e një prodhimi, pikant, të zgjedhur, të ngarkuar emocionalisht, real, që futet në gjendjen shpirtërore dhe mendore të karaktereve, një prodhim tamam të Qosjes. Në zhvillimin e ngjarjes së filmit pastaj, këto elemente fillojnë zbehen, tjetërsohen dhe ruhen veç nga njëri prej karaktereve, Sutës (Arta Dobroshi) dhe ashtu mbetet deri në fund.
Satira fillon e shndërrohet në komedi të pastër dhe nuk ndërron më. Për vetë faktin që në skenë është një burrë që marton dy gra (me arsyetimin se njëra nga to nuk mund të ketë fëmijë), një tjetër që dëshpërimisht deri në fund kërkon të rimartohet pas vdekjes së gruas ani pse është në moshë të shtyer, një tjetër karakter i cili i dalë nga kjo vorbull e këtij fshati kaq të varfër dhe kaq tradicional, i emigruar në Amerikë, ka marrë guximin që atje ta jetojë një tjetër mënyrë jetese, të dashurohet dhe të jetoj me një burrë.
Kur të gjitha këto bëhen bashkë, mirëmbajnë njëra-tjetrën deri në skenën përmbyllëse, thuajse i gjithë filmi bëhet veç një komedi.
Mbase publiku shpreson deri në fund ta shohë në retrospektivë jetën e Imerit (Donat Qosja), ta kuptojë arsyen ose arsyet e vetëvrasjes, edhe nëse ngjarjet tjera nuk ndërrojnë, personazhi i Imerit të zbardhet më tepër. Mistikja e këtij karakteri mbase është e menduar qëllimshëm, e megjithatë një gërshetim i tragjikes së jetës së tij me pjesën komike do ta krijonte një kombinim interesant, të cilin duket sikur publiku e shpreson deri në fund.
Personazhi i Sutës (Arta Dobroshi), nuk zhgënjen, jo që nuk e bën, por mbetet si karakteri më i dashur dhe më emocional deri në fund. Shpirtërorja dhe gjendja e rëndë psiqike, të cilat në film zbehen e zhduken, mbahen gjallë përmes karakterit të Sutës. Skena e saj tek varri i bashkëshortit të vetëvrarë, të cilin nuk e falë asnjëherë, është një skenë e pastër artistike.
Çka shohim tjetër në film
Bestytnitë kanë qenë dhe mbesin pjesë të shumë prodhimeve kinematografike. Tek “Lejleku” ne shohim s’paku një të tillë, është vetë lejleku si shpend i cili sipas banorëve të asaj rrethine është një lajmëtar se diçka e keqe do të ndodhë. E pse ndodh kjo ka një shpjegim shumë të thjeshtë, kur flasim për idetë që zhvillohen brenda këtyre zonave malore, ne i dimë personazhet që do të luajnë aty, përmes ambientit ne e dimë edhe cilat tematika do të trajtohen. Shoqëritë e izoluara, praktikisht janë shoqëri të varfra, shoqëritë e varfra janë praktikisht shoqëri injorante dhe të tilla shoqëri praktikisht besojnë së lejleku sjell lajme të kobshme, ndër të tjera.
Siç thuhet edhe në film, njerëzit aty ose emigrojnë në Amerikë ose në varr, nuk ka tjetër rrugë. Skenat kur ata përfundojnë në varr janë më të shpeshta, i shohim tri të tilla deri në fund të filmit.
Ata që nuk migrojnë në asnjërën prej tyre, mbijetojnë, ose mësojnë të jetojnë sipas parimeve që i kanë vendosur kohë me parë një kolektiv i caktuar, ose jetojnë në bazë të këtyre parimeve nuk ka rrugë tjetër.
***
“Lejleku” nuk është prodhimi më i mirë i Isa Qosjes, është një film me skena përmbajtësore dhe artistike, me pamje mbresëlënëse të vendit në të cilin është xhiruar e megjithatë ka mungesa të konsiderueshme. Ne kemi parë “Kukumin”, “Proka” e “Tri dritare dhe një varje”, nuk mund të krahasojmë mes vete ngjarje të këtyre filmave e megjithatë nga këto përmbajtje ne nuk jemi mësuar ta shohim Qosjen të prodhojë komedi. Kur themi komedi, patjetër ne e mendojmë satirën, e prapëseprapë ka një lidhje e cila mungon mes të dyjave, kapërcimi është i madh dhe jo i paverejtshëm.
“Lejleku” mbetet një film i cili u krijua dhe frymëzua nga një vend i vogël. Një realizim real i përditshmërisë qe ngjason me jo realen.
/Gazeta Express