Filmreview / Historia përsëritet, jo vetëm në film - Gazeta Express
string(47) "filmreview-historia-perseritet-jo-vetem-ne-film"

Arte

Gazeta Express

05/08/2022 17:09

Filmreview / Historia përsëritet, jo vetëm në film

Arte

Gazeta Express

05/08/2022 17:09

Rreth filmi Remake, të regjisorit boshnjak Dino Mustafić, realizuar në vitin 2003

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Filmi Remake i regjisorit boshnjak Dino Mustafić, i realizuar në vitin 2003, rrëfen për luftën në Bosnjë. Ky film vë në spikamë makthin e vërtetë që po ndodhte në Sarajevë, gjatë vitit 1992. E dikurshmja federata jugosllave, një konglomerat kombe dhe etni, e cila si parullë të parë kishte bashkim-vllaznimin kishte filluar të shpërbëhej në mënyrën më të keqe të mundshme. Ata që deri dje kishin krijuar lidhje vëllazërore dhe vetën e konsideronin se po jetonin në diçka që ishte supra-nacionale, pra, Jugosllavia, filluan ta vrasin njëri-tjetrin në baza etnike.

Miro Jovanović (luajtur nga aktori Aleksandar Seksan), ishte me prejardhje etnike serbe dhe i cili është miku më i ngushtë i Tarikut (luajtur nga aktori Ermin Bravo). Edhe Tariku edhe Miro jetojnë në lagjen Gërrbavica, në qytetin e Sarajevës. Çdo gjë është e zakontë, deri në momentin e shpërthimit të luftës, ku Miro do të detyrohet t’i bashkëngjitet forcave ushtarake serbe, kurse Tariku dhe të gjithë boshnjakët tani e tutje do të jetë shënjestra e tyre. Këtu regjisori Mustafić e thekson fuqinë e prejardhjes etnike karshi fuqisë së mendimit.

Tarik Karaga, ishte një shkrimtar i ri, i cili para se të fillonte lufta kishte shkruar një skenar filmi, të cilin e kishte dërguar në një konkurs letrar në Francë. Ky skenar rrëfen historinë e vërtetë të babait të tij, Ahmed Karaga, i cili gjatë shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore zihet rob dhe përfundon në një kamp përqendrimi, por që arrin të mbijetojë. Në fakt këtu historia fjal-për-fjalshëm përsëritet, sepse ajo se çfarë kishte shkruar në skenar Tariku, e që ishte rrëfimi se ç’i kishte ndodhur babait të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, tani po i ndodhte vet atij. Nëpërmes vendosjes së filmit brenda filmit, regjisori Mustafić krijon edhe meta-kinema. Megjithatë, skenari i Tarikut i dërguar para se të niste lufta, kishte zgjuar kureshtje në Paris, mirëpo, zhvillimet në Bosnje kishin marrë tiparet e një lufte të çmendur dhe në Sarajevë, Tarik është kapur nga ushtria serbe dhe iu ishte nënshtruar kushteve mizore në një kampi pune, i cili pothuajse nuk ndryshonte nga një kamp përqendrimi. Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për të shpëtuar, një producent filmi francez në një këmbim me një të burgosur tjetër e ndihmon Tarikun që të lirohet dhe të sigurojë transportin për në Paris.

I gjendur në sallonet me shumë luks të Parisit, ku njerëzit nuk qanin kokën se çfarë realisht po ndodhte me Bosnjën, me Tarikun dhe të afërmit e tij, ai vendosë të kthehet në vendlindjen e tij në Sarajevë. Përmes kësaj sekuencë regjisori Dino Mustafić sikur i bënë kritikë botës perëndimore rreth sjelljes indiferente karshi një lufte që po merrte përmasat e shfarosjes etnike.

 Pra, filmi Remake shqyrton temën e hakmarrjes kundrejt faljes, si dhe idenë se historia përsëritet dhe se ata që nuk mësojnë prej saj janë të destinuar ta përsërisin atë. Pra, përderisa Tarik ishte i fokusuar që ta rrëfente historinë e babait të tij, ai nuk e dinte se shumë shpejt edhe ai do të bëhej pjesë e një rrëfimi të trishtë me përmasa botërore. Ai nuk ishte i vetëdijshëm se drama e babait do të jetë pothuajse identike e riprodhuar në vet fatin e tij. Do të ndryshonin vetëm epokat, por jo edhe problemet etnike.

Fuqia e vërtetë e filmit Remake nuk është vetëm tek historia e saj për një të kaluar të trishtuar e të shkaktuar nga lufta, por edhe te parashikimi i saj për një të ardhme të zymtë. Regjisori Dino Mustafić përmes këtij filmi mundohet ta vë në qendër fuqinë që kanë ndarjet etnike pavarësisht zhvillimit që mund të ketë një shoqëri. Ai përmes këtij filmi rithekso nevojën që njerëzit t’i shpëtojnë kthetrave të politikës, asaj politike që ngrihet mbi urrejtje ndaj tjetrit dhe e cila e ka vetëm një synim, zhdukjen e këtij të fundit.

/Gazeta Express