Filmreview / Fadili përballë Historisë - Gazeta Express
string(36) "filmreview-fadili-perballe-historise"

Filmreview / Fadili përballë Historisë

Arte

Gazeta Express

09/12/2022 17:15

Përkitazi me filmin ‘Cold November’ (Nëntor i ftohtë), të regjisorit Ismet Sijarina

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Ngjarjet e mdha, ndryshimet revolucionare kanë qenë dhe janë një ankth për individin. Pothuajse, çdo gjë kapërdihet nga fryma e këtij ndryshimi të madh. Njeriu, individi humbë çdo vlerë dhe njëjtësohet me masën nga një frymë e tillë. Përpara pushtuesit të gjithë janë të pushtuar, sikurse, edhe përpara të pushtuarit të gjithë pushtues, pra,  në fund të fundit janë njësoj. Pra, ka një pushtues, një të pushtuar – një histori. Gjithçka, çdo gjë dhe çdo kush i nënshtrohet këtij rendi determinist. Nuk ka Unë, por ka Ne. Nuk ka Ai, por ka Ata (sic!). Andaj, sipas këtij ligjërimi supozohet se edhe kur të ëndërrojmë, duhet të ëndërrojmë të gjithë njësojë, madje edhe seks do të duhej të bëjmë të gjithë njësoj. Pse?! Sepse jemi të njëjtë na thonë. I përkasim të të njëjtit lloj, prandaj edhe jemi dhe duhet të sillemi njësoj. E gjithë lufta brenda një populli që është në luftë, është se si duhet të sillemi si një trup i vetëm edhepse, nuk jemi të tillë. Masa duke qenë totalitare mundohet që çdo që është jashtë margjinave ta fus brenda gjirit të saj ngulfatës, mirëpo, nëse kjo nuk është e mundur atëherë duhet përjashtuar duke e poshtëruar në mos dhe eliminuar. Historikisht masat kanë qenë dhe janë vrastare për individin, sepse individi është armiku kryesor i hipokrizisë së tyre. Një individ me vullnet, besim dhe guxim intelektual, i cili vendimet që i merr i bën jashtë interferencave eksternale, nga konformiteti shoqëror shihet si armik. Sipas tyre ky soj njeriu nuk i duhet shoqërisë, sepse ai mendon me kokën e tij, jo sipas dëshirës së shoqërisë. Shoqëria, sipas tyre, duhet ta ketë një trup dhe një kokë dhe për këtë ato koka që synojnë të theksohen duhet prerë.

Prandaj, rasti i arkivistit Fadil Sylës (luajtur nga aktori Kushtrim Hoxha), na e bënë të prekshëm këtë narracion. Rasti i tij nuk është copëza e historisë së përgjithshme, por është historia e tij, e familjes së tij, madje në disa moment vetëm e tij. E gjithë kjo histori shfaqet në filmin Cold November (Nëntor i ftohtë), të regjisorit Ismet Sijarina. Fadili, jeton nën fshikullimin e kamxhikut të idealit dhe nën presionin e realitetit ekzistencial dhe si rrjedhim ai jeton nën presionin e këtij binomi. E gjithë beteja e tij zhvillohet brenda një dileme morale dhe brenda një realiteti për ekzistencën. Sikur e gjithë lufta që ndodhë jashtë me tërë masën dhe vëllimin e saj janë koncentruar vetëm në një pikë, në shpirtin e Fadilit. Ai në çdo çast është nën presion dhe se e din se duhet vet të ballafaqohet me të. Vendimin që e ka marrë nuk e ka nga kryeneçësia, as nga guximi. Ai është i frikësuar, sepse vendimi i tij në njërën anë të peshores e ka të vendosur idealin e popullit për kundërshtim (e që edhe vet Fadili është po aq kundërshtues), si dhe në anën tjetër ekzistencën e familjes së tij. Kjo përplasje në mes të popullit në njërën anë dhe të familjes në anën tjetër, për Fadilin është përplasje më e madhe se sa vet përplasja e qytetërimeve, është përplasja në mes të moralit dhe mendjes. morali i thotë se duhet të jesh krahë me idealin, mirëpo, mendja i thotë se si mund të jesh me idealin kur je i vdekur urie. Morali i thotë se duhesh ta lësh punën e të vuash sikur shokët, kurse mendja i thotë se duhet të jesh i përgjegjshëm para familjes. Kjo dilemë Fadilin do ta ndjek në çdo hap.

Shumë nga ne edhe mund ta gjykojmë vendimin e Fadilit, madje shumica absolute edhe e bënë, mirëpo, këtë e bëjmë duke mos qenë ose duke mos dashur të mishërohemi me fatin e tij. Fadili është i dënuar nga historia të jetoj si tradhtar, sepse veprimin e tij asisoj e ka vendosur populli kjo kategori kaq abstrakte. Dilema e Fadil Sylës është pothuajse analoge me dilemën e atij studentit Sartre-an, i cili nuk e dine se a është më mirë të shkojë në luftë me shokët apo të qëndrojë me nënën e tij në shtëpi dhe këtë dilemë ja paraqet Jean-Paul Sartre-it, e i cili në pamundësi për t’i treguar rrugën që duhet ndjek, këshilla e tij për këtë student ishte që të vepronte sipas vullnetit të tij, sepse simbas Sartre-it ekzistenca e njeriut mund të kuptimësohet vetëm atëherë kur ai vetë e merr fatin e tij në duart e veta. Dhe në këtë pikë Fadili është tipik sartrean, ekzistencialist ortodoks. Edhe përkundër presionit psikologjik ai reziston, sepse fuqia rezistuese e tij është koncentruar në shpëtimin e familjes së tij. Ai ka një qëllim që të mbijetojë qoftë edhe duke u përbuzur nga shoqëria. Dilema e tij nuk është ankth për shoqërinë, por shoqëri bëhet ankthi i tij.

Një anë tjetër në kuadër të këtij ligjërimi filmi Cold November shpërfaqë edhe dy elemente shumë të rëndësishme; shoqërinë dhe tradhtinë. Në fakt filmi nuk e relativizon tradhtinë si koncept, por as si masë ndëshkuese, mirëpo, duke e zhveshur hipokrizinë e shoqërisë (popullit), e rikontekstalizon dhe e ridimensionon epitetin e tradhtarit. Fadili punon si arkivist në një ndërmarrje në kohën kur masat e dhunshme që ishin vendosur në Kosovë nga aparati shtetror serbë ku kishin bërë që shqiptarët të largoheshin dhunshëm nga puna, të mbylleshin fabrika, shkollat, Universiteti etj., ai vendosë që të punojë. Ky vendim sado drasitik po aq edhe kundërthënës për kontekstin, por në syrin e kamerës së regjisorit Sijarina merr një trajtë tërësisht personale. Fadili nuk vazhdon punën për t’i ndihmuar armikut. Ai vazhdon punën sepse nuk ka kah t’ia mbajë. Jeta e tij, e gruas, dy fëmijëve dhe babait të tij janë të varura nga paga e punës si arkivist që bënë. Është interesant se vendimi i Fadilit për të qëndruar në punë, tek pala shqiptare e bënë tradhtar, kurse tek pala serbe e bënë mosbesues. I huaj në punë, i huaj në shoqëri, ky është fati i tij të cilin ai duhet ta mbaj mbi supe, të jetoj si një fantazmë në mes njerëzve.  Fadil tradhtari, është njeriu i cili ka vendosur të marrë në duar fatin e tij dhe është pikërisht ky vendim që atë e bëri tradhtarë. Ai ka vendosur që familjen e tij të mos ta lërë nën ndërgjegjen e shoqërisë, por t’i marrë përgjegjësitë që ia ka ngarkuar vetës, ta mbaj vetën dhe familjen e tij, qoftë kjo edhe me kushtin e vdekjes.

Pra, nëpërmes Fadil Sylës, filmi Cold November, na bën me dije se brenda asaj që mundohemi ta paraqesim si histori e popullit si histori kombëtare në fakt ka një shumësi të pafundme historishë të veçanta, e që secila është e ndryshme në llojin e vet. ”Nuk ka një histori botërore, ajo nuk ekziston. Ka histori individuale” thoshte dikur autori i librit Mjerimi i historicizmit, Karl Popper.  Prandaj, filmi Cold November në njëfarë forme na këshillon që të jemi të kujdesshëm kur marrim guximin që ta gjykojmë tjetrin se si të sillet, e aq më pak kur këtë e bëjmë sidomos në emër të popullit. Mbase, jeta e Fadil Sylës përfundon pas përfundimit të thesit me kumpira, mirëpo, mendësia që me nxjerrë tradhtarin si kategori shoqërore në debatin publik vazhdon edhe sot e kësaj dite të përsëritet. 

/Gazeta Express