FilmReview/ Evropa, ndërmjet së shkuarës dhe të ardhmes - Gazeta Express
string(53) "filmreview-evropa-ndermjet-se-shkuares-dhe-te-ardhmes"

FilmReview/ Evropa, ndërmjet së shkuarës dhe të ardhmes

Arte

Gazeta Express

13/05/2022 17:16

Rreth filmit ‘Evropa’ të regjisorit danez Lars von Trier

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Europa, është një film eksperimental, i ndikuar nga romani Amerika i autorit Franz Kafka, pjesë e trilogjisë së regjisorit danez Lars von Trier-i. Ky film është një rrëfim ndryshe nga historitë e tjera të bëra për Evropën. Film rrëfen për periudhën menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e që na e paraqet një Evropë e cila është katandisur, ku njerëzit sillen si në errësirë dhe nuk mund ta rimarrin vetën. Evropa e asaj kohe ishte aq e zezë sa që e zeza nuk dukej më. Pra, Evropa e von Trier-it vë në pah kontradiktat e Evropës reale. Në këtë film shpërfaqet idealja dhe shkatërrimi, dashuria dhe urrejtja, guximi dhe frika, drita dhe errësira. Ky rrëfim për Evropën nuk është fiktiv, por në njëfarë forme ofron imazhin e një Evrope të vërtetë, të cilën përbindëshat e kishin bërë kaq të shëmtuar. 

Edhepse, filmi është i koncentruar në Gjermanin e pas Luftës së Dytë Botërore, ai nuk flet vetëm për të, por nëpërmes Gjermanisë vë në spikamë të kaluarën, historinë e gjithë Evropës. Po ashtu, paraqitja e trenave të mbushur me hebrenj të bërë kockë që i kishin shpëtuar luftës, ndër të tjera, përveç që bartin njerëz, në fakt ata janë trena që bartin historinë e palavdishme të vet Evropës. Me këtë regjisori dëshiron të theksojë të vërtetën e hidhur të shkaktuar nga vetë njeriu evropian, një njeri që ishte futur në botën e modernizimit, por që reminishencat e barbarie janë aq të fuqishme sa që shpërthimi i tyre ka përmasa katastrofale. Regjisori Lars von Trier-i në këtë film po ashtu vendos insinuata të pazakonta, ku Gjermania dhe vetë Evropa në përgjithësi paraqiten si hapësira që ekzistojnë si në ëndërr dhe ku asgjë nuk duket se ka kuptim. Udhëtimi me tren shpreh udhëtimin e jetës që ka marrë drejtimin e pashmangshëm drejt vdekjes.

Prandaj, filmi Evropa është përpjekja e von Trier-it që të paraqesë një histori të madhe dashurie, emocionale dhe të një vetëmashtrim të madh të njeriut evropian. Vetë regjisori pohon: “Ideja se njerëzit do të marrin mundimin të bashkëpunojnë dhe të punojnë për të mirën e tyre, është thellësisht naive. Kjo është ndoshta ajo që filmi Evropa është përpjekur që ta shprehë”. Sipas von Trier-it, filmi paraqet një dimension sa real po aq edhe të frikshëm të Evropës së djeshme dhe sidomos të Evropës që do të pasojë.

Për këtë mund të themi se filmi Evropa, është shprehja reale e një gjendje jo të largët. Edhe përmes anës vizuale, herë ngjyrave të theksuara, por edhe zymtësisë së hekurt, regjisori mundohet të paraqet paradoksin e shpirtit evropian. Prandaj, filmi Evropa është më shumë se sa film, sepse identifikohet me një ngjarje dhe me një histori që kishte ndodhur dje, por na fton që të bëhemi vigjilentë në të tashmen, që të mos na ndodhë në të ardhmen.  

/Gazeta Express