Filmreview / Brutaliteti i ekzistencës - Gazeta Express
string(36) "filmreview-brutaliteti-i-ekzistences"

Arte

Dritan Dragusha

27/01/2023 17:13

Filmreview / Brutaliteti i ekzistencës

Arte

Dritan Dragusha

27/01/2023 17:13

Përkitazi me filmin ‘Black Swan’, regjisorit Darren Aronofsky

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Përbuzja nga të tjerët, sidomos nga ata që presim të na mbështesin, krijon një mbyllje brenda vetvetes. Një izolim që më së paku kalon në mllef e inat. Kjo rritet kur të tjerët insistojnë që t’i realizojnë mungesat e tyre përmes nesh. Frustrimet e tyre t’i bëjnë pjesë edhe të jetës së të tjerëve. Dështimet e tyre t’i plotësojnë përmes të tjerëve, ose edhe më keq, të tjerët t’i bëjnë pjesë të atij dështimi. Kjo sjellje e tillë ndaj atyre që i kemi afër fillon dhe na bën nevrastenik. Dhe nevrastenia nuk është një sëmundje dosido. Nevrastenia është sëmundje që njeriun e bën aq të keq deri në mizori. Shkrimtari italian Alberto Bevilacqua thoshte se nevrastenia është ajo që kishte prodhuar edhe nazizmin në gjermani.

E keqtrajtuar nga nëna e saj, sepse edhe ajo dikur kishte insistuar të bëhej balerinë, por kishte dështuar, Nina edhe përkundër këtyre maltretimeve nuk heq dorë. Ajo me çdo kusht insiston që të arrij që sa më shumë ta perfeksionoj vallëzimin në balet. Ajo këtë punë e bën duke mos kursyer asgjë, madje as shëndetin e saj. Shpeshherë e ndier nën ankth, e zhgënjyer, e vetmuar dhe rënduar psikikisht, Nina nuk heq dorë, ajo vazhdon sa me vullnet, aq edhe me një inat të brendshëm të ecë përpara në skenën e baletit.       

Black Swan, është një film psiko-melodramatik, i regjisorit Darren Aronofsky. Ky film nëpërmes balerinës Nina Sayers (luajtur nga Natalie Portman), na e paraqet mjaft qartë përmbajtjen teatrale që përmban përbrenda vetë filmi. Nëpërmes skenës së baletit dhe loja që luhet aty, filmi Black Swan tregon fuqinë magjike që përçon teatri. Madje edhe përkundër fuqisë që ka kinemaja sot, prapëseprapë pushteti i teatrit mbetet një mister në vete.

E epur aq shumë pas punës artistike të saj, Ninën nuk e stopojnë probleme e shfaqura shëndetësore. Marrja me shumë seriozitet të rolit tregon edhe anën e vështirë që bartë aktrimi në vete. Për të nxjerrur një lojë të bukur, për të bërë një aktrim sa më të perfeksionuar dhe origjinal, Nina na tregon se duhet shumë sakrificë. Pikërisht këtë e paraqet filmi Black Swan, vullnetin, egon, zellin në punë, si dhe dëshirën e madhe për të triumfuar, jo karshi tjetrit, por karshi vetvetes. Apo, po ta parafrazojmë George Bernard Shaw; Nina nuk është në kërkim të vetës, por është në krijimin e vetvetes.  

Nëpërmes skenave që e rikthejnë teatrin në kinema, regjisori Aranofsky na rikujton rendësinë që ka teatri edhe sot. Pothuajse, çdo shfaqje në këtë film ka të bëjë me teatrin dhe lojën teatrale. Andaj, Aranofsky përmes baletit të Ninës na e sjell një përformancë ku dinamika e zhvillimit të filmit, është edhe dinamika e realitetit të shpërfaqur si teatër. Me këtë film, regjisori Aranofsky duket se dëshiron të na rrëfej histori, tregime që janë shprehje e një ndjesie të brendshme të individit dhe që këtë ndjesi të na e paraqes ne të tjerëve, që ne pastaj ta shohim dhe ndjejmë po ashtu.

Regjisori Aranofsky këtu trajton edhe luftën në mes të keqes dhe së mires. Vija e hollë e cila i ndanë këto dy kategori morale, bën me qenë më të sofistikuar kur konkludojmë. Sipas Aranofsky-it e mira dhe e keqja kanë kontekst në kohë dhe hapësirë dhe duhet trajtuar me kujdes. Impulsi që shtyn filmi Black Swan, është impulsi i një realiteti brutal njerëzor. Është hemisfera shpirtërore që i jep shtysë njeriut që të mbijetojë.

/Gazeta Express