Filmreview/ Aty ku je numër, jo emër - Gazeta Express
string(34) "filmreview-aty-ku-je-numer-jo-emer"

Filmreview/ Aty ku je numër, jo emër

Arte

Gazeta Express

19/08/2022 16:46

Rreth filmit ‘The Lives of Others’, të regjisorit Florian Henckel von Donnersmarck

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

“Sonata për një njeri të mirë”, e paraqet ndjenjën e zymtë dhe të vështirë të njeriut. Gjithshtu, shtron pyetjen se si mund të ketë njeri të mirë në rrethana të atilla që e suspemdojnë vetë mundësinë e sjelljes të mirë? Si ka mundësi që një njeri i tillë t’i bëjë ballë një sistemi totalitar, në të cilin gjithçka dhe çdo kush është në vëzhgim permanent?! Vallë a mundet që parimet morale të jenë rregullatorë marrëdhëniesh mes njerëzve, kur secili secilin e vëzhgon me një ndjenjë të fuqishme mosbesimi? Këto dilema dhe shumë të tjera sosh paraqiten në filmin The Lives of Others, të regjisorit gjerman Florian Henckel von Donnersmarck.

Ngjarja e filmit është e vendosur në mes të viteve 80’ në Gjermaninë Lindore, e cila ishte në dorën e hekurt të komunizmit, i cila përmes policisë sekrete STAS kontrollonte pothuajse çdo gjë. Si çdo regjim totalitar, edhe ky në Gjermaninë Lindore, ishte bërë paranojak dhe kishte frikë se secili qytetar mund të jetë armik (Shikoni sot Rusinë e Putinit, tani kohëve të fundit atje është nxjerrë një ligj që pushtetit ia mundëson që secalin qytetar rus të mund ta akuzojë si armik). Pushtete të tilla insistojnë që të kontrollojnë gjithtçka dhe të gjithë, duke u përpjekur që të hyjë deri në intimitet, deri në ëndrrat e njerëzve. Në një regjim të tillë njerëzit përfundojnë në spiunë dhe të spiunuar njëkohësisht.

Filmi është një gërshetim dhe një përballje mes dy personazheve kryesor: atij të Gerd Wiesler, kapiten i STAS-it dhe Georg Dreyman, dramaturg i famshëm për të cilën thuhet se është i vetmi që lexohet edhe në Perëndim. Një informatë e tillë mjafton që të ngjallë dyshimin tek kapiteni Wiesler, i cili vendos që edhe dramaturgun e famshëm ta vërë nën aparatet e tij të përgjimit. Dramaturgu përveç që ishte i pashëm dhe i famshëm, ai lexohet edhe në Perëndim, në botën armiqësore siç konsiderohej në Gjermanin Lindore. Kjo ishte një alibi mëse e mjaftushme që dramaturgu të ishte i dyshimtë. Dhe Wiesler menjëherë vendos paisjet e përgjimit në apartamentin e dramaturgut dhe si një Big Brother e përgjon çdo fjalë e çdo veprim të tij.

Por edhe pse linja kryesore e filmit është e fokusuar tek personazhet e spiunit Wiesler dhe dramaturgut Dreyman, aty janë edhe linja tjera që veç sa e pasurojnë këtë rrëfim dhe paraqesin më të plotë tmerret që përjetojnë njerëzit e zakonshëm, e deri tek ata më të famshmit dhe të pushtetshmit, nga aparati shtetëror totalitar. Janë të paharrueshme skenat se si Wiesler, i torturon të arrestuarit dhe i bën të pranojnë fajet, patën apo jo faj. Dhe për këto metoda ai u ligjëron studentëve, spiunëve të ardhshëm. Gjithashtu, një përshhkrim i veçantë është ajo e ministrit i cili fillon t’i vardiset të dashurës së dramaturgut, e cila është aktore e njohur dhe e bukur. Ministri duke e përdorur pushtetin e tij vetëm që ta shtijë në dorë aktorën e bukur, e cila nga frika se do t’i bëjë keq të dashurit të saj, dorëzohet para ministrit, por më pas i dorëzohet edhe vdekjes, pasi nuk mund të përballojë shikimin e të dashurit të saj pas asaj që i kishte ndodhur në veturën e ministrit.

The Lives of Others ashtu siç e ka edhe titullin, tregon për ata që duke u marrë me jetën e të tjerëve, duka ua komplikuar e shpesh edhe shkatërruar jetën të tjerëve, njëkohësisht shkatërrojnë edhe jetën e tyre. Ata bëhen hije e të tjerëve, por kurrë nuk janë vetvetja. Çuditërisht kurrë nuk bëhen njerëz normalë. Madje edhe kur kapiteni Wiesler, pas një bisede të shkurtër më një fëmijë në ashensor, nga fjalët e fëmijës i zgjohet ndërgjegja dhe vendos që të mos e kallëzojë dramaturgun Dreyman, që tashmë kishte filluar vërtetë të bëntë veprime të ndaluara nga Qeveria, dhe Wiesler i ftohtë e i frikshëm edhe për bashkëpunëtorët e tij, fillon të bëhet njeri ai prapëseprapë mbetet vetëm hije, mbetet vetëm shifër. Pas rënies së komunizmit, dramaturgu Dreyman e kishte kuptuar se një spiun e kishte shpëtuar atë, por edhe pse këtij spiuni ia kishte dedikuar librin e tij autobiografik, ai nuk kishte arritur që të mësonte më shumë se sa shifrën e këtij spiuni të cilën e kishte shënuar në librin e tij. Po qe se i shikojmë regjimet totalitare dhe jo vetëm, spiunët janë shifër. Madje, regjime të tilla dhe ato që kanë prirje autoritariste kanë si synim që njeriun ta reduktojnë vetëm në shifër ose në disa vende me demokraci të brishtë, njeriun insistojnë ta shohin vetëm si votë.

Pra, The Lives of Others flet për njeriun si një numër, që edhe kur bënë mirë, prap se prap numër mbetet, sepse pushteti totalitar ka arritur që atë ta zbresë në nivelin shtazarak. Andaj, një trishtim i tmerrshëm qëndron në zemrë të filmi The Lives of Others. Një shtet i tillë totalitar përveç ruajtjes së fuqisë së vet, duke ushtruar kontrollë absolut mbi secilin njeri, qëllim tjetër nuk ka. Mirëpo, një tendencë e tillë do të bëhet rruga që do ta dërgojë deri në shkatërrim. Për këtë, shteti totalitar duke i shkatrruar njerëzit njëkohësisht bën edhe stërkeqjen e tij, e cila stërkeqje pastaj do ta dërgojë deri në zhbërje vetë atë.    

/Gazeta Express