Filmreview / Aromë lirie - Gazeta Express
string(22) "filmreview-arome-lirie"

Arte

Dritan Dragusha

23/09/2022 16:12

Filmreview / Aromë lirie

Arte

Dritan Dragusha

23/09/2022 16:12

Rreth filmit ’12 years a slave’, të Steve McQueen, 2013, të realizuar sipas kujtimeve të Solomon Northup-it

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Ia kishte ndjerë deri në petalin e fundit aromën dehëse lirisë, atë aromë që njeriun e rrëmben ashtu sikur që fëmijën e rrëmben loja. Mirëpo, tani për Solomon-in (luajtur nga Chiwetel Ejiofor) kjo aromë do të bëhet gjithnjë e më e largët, sepse ai është zënë nga një grup i të bardhëve dhe në një treg ku shiten gjëra të ndryshme edhe skllevërit po ashtu, ai do të shitet diku larg në jug të Amerikës. Solomon-i përfundon atje ku skllavëria ende nuk ishte hequr. Me që e kishte ndier lirinë, e kishte përjetuar atë sikur rrezja e diellit që përshkon syrin e dalë nga errësira, Solomon-i asnjëherë nuk do të ndalet së kërkuar atë që i ishte marrë padrejtësisht. I bindur se do ta rifitoj lirinë ai do t’i bëj ballë torturave më çnjerëzore, sepse tanimë për të liria kapërcente çdo mundim dhe se sakrifica për të ishte gjëja e vetme që duhet bërë.

Solomon-i është një njeri, zezak, i arsimuar. Një burrë që është i martuar dhe ka fëmijë, e që me heqjen e skllavërisë nga Abraham Lincoln, ai do të bëhet një njeri i lirë. Shfuqizimi i skllavërisë nuk qe i përnjëherëshëm në të gjithë vendin, prandaj Solomon-i ishte riskllavëruar në një pjesë ku skllavëria ishte e pranishme. Pra, të qenit e tij në skllavëri përveç që ishte një gabim grotesk, qe edhe një padrejtësi e tmerrshme. Për këtë regjisori Steve McQueen merr përsipër të na i paraqet rrëfimet e vërteta të Solomon Northup që i kishte bërë në librin e tij më 1850.

12 years a slave, përveç që shpërfaq një nga ngjarjet më tronditëse të historisë së Amerikës, ai vë në spikamë edhe dimensionin fundamental të lirisë dhe mbase, gjithçka në këtë film interpretohet në prani apo mungesë të saj. Këtë më së miri e shprehë sjellja e Solomon-it karshi pronarit të tij dhe karshi skllevërve të tjerë. Ai nuk ishte si të skllavëruarit e tjerë, apo thënë më mirë ata asnjëherë nuk ishin përballur me lirin sikur qysh ishte përballur Solomon-i. Andaj, edhe sjelljet e tij atyre iu dukeshin jo normale. Për një njeri që e kishte përjetuar edhe skllavërinë e edhe lirinë, ishte sa e kuptueshme po aq edhe e trishtueshme, sepse e dinte se për t’u çliruar nga kjo robëri duhet mbështetur vetëm tek vetvetja.

Pra, 12 years a slave është nga ata filma që na mëson se sa e fuqishme ka qenë kurajë e njeriut, se sa i madh ka qenë vullneti për liri edhe atëherë kur shpresa për t’u çliruar pothujase nuk ka ekzistuar fare. Ky film nëpërmes jetës së personazhit Solomon Northup na e paraqet tablonë e një epoke ku njeriu vlente një grusht monedha, e që liria kishte si çmim jetën. 12 vjetët e robërimit të Solomon-it janë 12 vjetët e turpit njerëzor, por janë edhe 12 vjetët që duhet të na vetëdijesojnë përgjithmonë se nëse dikujt ia kemi mohuar lirinë, e kemi robëruar gjithë njerëzimin. Prandaj, liria e tjetrit duhet parë edhe si liria e jonë, sepse liria jonë nuk ka kuptim pa lirinë e tjetrit.

/Gazeta Express