Filmi dokumentar “Përtej territ” do të shfaqet sonte në Televizionin T7. “PËRTEJ TERRIT” është një film dokumentar nga Donjeta Mejtani që trajton temën e abuzimit dhe dhunës ndaj grave në shoqërinë kosovare. Për protagoniste ka tri gra të guximshme kosovare, të cilat rrëfejnë haptazi dhe me identitet të plotë historitë e jetës së tyre se si i mbijetuan abuzimeve e dhunës.
Duke u neglizhuar për vite nga institucionet e shtetit të Kosovës, ato ende presin ndihmën që u takon dhe japin detaje të luftës së tyre për shpëtim dhe kërkojnë që drejtësia të vihet në vend.
Filmi është shfaqur për herë të parë në Kino Armata, ku ka qenë e pranishme njëra nga gratë protagoniste. Ndërkaq, premierën ndërkombëtare ky realizim artistik e kishte në Zurich të Zvicrës, derisa është shfaqur edhe në Bern në kuadër të festivailt të filmit, “KINOKOSOVA”.
Në anën tjetër, Donjeta Mejtani ka përvojë disavjeçare si gazetare e artit, kulturës dhe temave sociale në gazetari të shkruar dhe radiogazetari. Është regjisore e filmit “Përtej Territ” dhe kompozitore e muzikës për këtë film. Aktualisht jeton dhe vepron në Nju Jork. Filmi “Përtej territ” do të transmetohet sonte në Televizionin T7, nga ora 22:30.