Filmi austriak për Enver Hoxhën - Gazeta Express
string(31) "filmi-austriak-per-enver-hoxhen"

Filmi austriak për Enver Hoxhën

Arte

Gazeta Express

29/06/2022 14:38

Filmi i Paul Lendvai (prodhim i vitit 1984) hedh dritë mbi qasjen që shteti komunist kishte me të huajt dhe propagandën me të cilën ushqente qytetarët e vet, në mungesë të mallrave ushqimore, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim mbi aftësitë e pushtetit për të manipuluar në çdo kohë.

Nga: Fatmira Nikolli

Lexo Edhe:

Si fëmijë, ai kishte parë mbretin Zog me mbretëreshën Geraldinë në Budapest. Që prej asaj kohe, në mendjen e tij, ishte krijuar një imazh i vagullt mbi Shqipërinë. 
Prej kur ishte fëmijë ishte bërë kurioz ndaj si i rritur dhe si profesor, gjeti një mënyrë për të ardhur në vendin e izoluar nga bota.

Në Tiranën e vitit 1984 mbërrin nga Austria profesor Paul Lendvai. Me premtimin se do të bënte një dokumentar ku do ta krahasonte Enver Hoxhën me Skënderbeun, atij i jepet leja që të xhirojë kudo në Shqipëri për 21 ditë.
Më shumë se tri dekada më vonë filmi u shfaq kohë më parë gjatë “Ditëve të Kujtesës” organizuar nga IDMC, ndërsa përkthyesi Sokol Mici, që e shoqëroi, kujton:

“Lendvai ju kishte thënë autoriteteve që do bëj një film të çmenden serbët. Ata i dhanë leje dhe ai ishte shumë më i lirë se gazetarët e tjerë për të xhiruar”- thotë Mici.

Paul Lendvai udhëtoi kudo në Shqipëri

Sipas tij, partia komuniste donte ta shfaqte dokumentarin kudo nëpër Shqipëri.

Në të kundërt Paul Lendvai udhëtoi kudo në Shqipëri për të treguar radhën e qytetarëve për të blerë ushqime, dyqanin e mishit të mbyllur, vendin të mbushur me statutja të Leninit, Stalinit e Enver Hoxhës duke denoncuar hapur propagandën dhe ngritjen e Hoxhës në pushtet.

“Kur përktheva filmin për udhëheqjen, dhe panë që filmi nuk ishte ashtu siç Lendvai e kishte premtuar, u zunë. Debati u bë kush ia kishte dhënë lejen e lirinë atij për të parë e xhiruar kaq shumë”, thotë Mici. Ai tregon një rast, kur profesori që njihte mirë sistemet e Europës Lindore arriti të dilte jashtë skenarit të autoriteteve komuniste.

“Për të gjitha vizitat e kësaj natyre kishte një program që ndiqej. Lendvai nuk e ndoqi. Një rast e kishim lënë që do xhirohej një dyqan mishi.
Ai shkoi te dyqani i mishit pa shoqërues dhe pa që shitësja nuk e kishte nisur shitjen pa shkuar grupi i xhirimit. Njerëzit ishin në radhë e po ankoheshin.
Ai kuptoi çdo gjë, që shteti nuk arrinte të furnizonte me ushqim qytetarët e vet. Që socializmi kishte dështuar”, tregon Mici.

Filmi i Paul Lendvai hedh dritë mbi qasjen që shteti komunist kishte me të huajt dhe propagandën me të cilën ushqente qytetarët e vet, në mungesë të mallrave ushqimore, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim mbi aftësitë e pushtetit për të manipuluar në çdo kohë.

Rrëfimi i autorit

Vetë Lendvai, tregoi se kishte një marrëveshje mes televizionit austriak ORF dhe RTSH për bashkëpunime. Lendvai erdhi që të xhironte në bazë të kësaj marrëveshjeje.

“Marrëveshja ishte një pretekst që të më lejohej të xhiroja. Na shoqëruan tre veta dhe çdo xhirim ishte kontrolluar, edhe nga një regjisor i RTSH. Një prej tyre na tha që duhej të ndalonim sepse nuk lejohej të xhiroheshin, gjëra të tilla që tregonin që Shqipëria është vend i pazhvilluar, ju thamë që të nesërmen do iknim. Ishim shumë kuriozë për ato që shihnim”, tha Lendvai.

Ai kujtoi se Mehmet Shehu nuk ishte më  dhe se ai më pas u fut në listën e zezë.

“Ne mundëm të kapnim rradhën e njerëzve që prisnin për të blerë mish, vetëm se arritëm para grupit shqiptar. Ditën që unë prezantova librin që shkrova mbi vizitën time në Shqipëri, Enver Hoxha vdiq. Ka pasur kritika të mira për librin dhe për filmin sepse nuk kishte informacion për Shqipërinë. Aleks Buda ishte i ditur dhe ishte shumë më i sofistikuar edhe pse duhej të ishte me propagandën”, tha Lendvai.

Si fëmijë tha ai, që kishte parë Ahmet Zogun me gruan e tij hungareze në Budapest dhe nga kjo nisi interesi i tij për Shqipërinë.

“Nuk jam lejuar të takoj kundërshtarë të regjimit. Ne ndiqeshim këmba-këmbës, kudo që shkonim, edhe në darkë. Nuk kishte asnjë mundësi që të flisnim me asnjë njeri. Ata që na shoqëronin, ishin po ashtu në vëzhgim. Ishte e pamundur. Ajo që doja të tregoja të dokumentar ishte se Shqipëria ishte si një muze i së shkuarës me statujat për Stalinin”./gazetashqiptare

/Gazeta Express